Chelsea e mposht Newcastle Unitedin dhe rikthehet te firoja në Premierligë

  • January 12, 2019 19:31
  • Sport

Anësori brazilian Willian ua siguroi një fitore të rëndësishme të kaltërve – që në ndeshjen e fundit në Premierligë u ndalen me një barazim pa gola nga Southamptoni – duke realizuar një solo gol fantastik në fillim të pjesës së dytë, raporton Gazeta Express.

Chelsea e ka thelluar edhe më shumë në krizë Newcastle Unitedin e Rafael Benitezit, që tani ka plot pesë ndeshje pa fitore në luftë për të mbijetuar në ligën elitare angleze.

Të kaltrit e nisen furishëm takimin dhe nuk humben kohë duke kaluar në epërsi pas nëntë minutave lojë. David Luiz me një superpasim diagonal nga largësia e gjeti Pedron, i cili e paraboloi portierin kundërshtar për 1-0.

Përkundër dominimit, vendasit nuk ishin në gjendje të shënonin më në pjesën e parë dhe u zunë në befasi vetëm pesë minuta para përfundimit të saj. Ciaran Clack shënoi për 1-1 duke e tundur me kokë rrjetën e portës së Kepas.

Një çerek brenda pjesës së dytë, megjithatë, Chelsea ktheu epërsinë, falë një solo depërtimi fantastik të Willianit, i cili shënoi golin që doli të ishte i tri pikëve të reja për të kaltrit.

Chelsea grumbullon 47 pikë pas 22 javësh, dhjetë më shumë se lideri Liverpool, tri më pak se Manchester City që të hënën luan ndaj Wolves dhe një më pak se Tottenham që të dielën e pret Manchester Unitedin.

Të kaltrit i ikin Arsenalit gjashtë pikë tani, dhe janë në rrugë të mirë ta sigurojnë vendin që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Newcastle, ndërkohë, renditet në vendin e 18 dhe rrezikon rënien nga Premierliga, pasi ka 18 pikë, një më pak se Southamptoni dhe Cardiffi që renditen në vendet 16 dhe 17 respektivisht. /Gazeta Express/ 

Loading...