Shumë veteranë të gatshëm për të hyrë në lista të LGBT’së nëse marrin pensione

  • October 12, 2018 12:58
  • Satirë

Parada e komunitetit LGBT, e mbajtur para dy ditësh, ndonëse kaloi e qetë, ka hasur në kundërshti të mëdha nga pjesa konservatore e shoqërisë.

Ishin të shumtë nga ata që kundërshtonin që në rrjetet sociale publikonin fotografi të paradave të ushtarëve, ku shënohej se vetëm ato ishin parada të krenarisë. Ndërsa nuk hezitonin që paradën e LGBT’së që quhej “Parada e Krenarisë” ta quanin “Paradë të Turpit”.

Sidoqoftë, duket se kundërshtia e kësaj pjese të shoqërisë nuk është gjithaq e rrënjosur.

Hulumtuesit nga media me zhbiruese në glob, PamPress, kanë vërejtur se në rast që futja në lista të LGBT’së do të sjellte benificione financiare, shumë nga kundërshtuesit e ashpër të tyre do të futeshin në ato lista. Një gatishmëri e këtillë është hetuar veçanërisht në mesin e veteranëve të luftës, nga të cilët shumica rezultuan të jenë të rrejshëm sipas prokurorit Elez Blakaj.

Një pjesë e madhe e tyre kanë deklaruar që në rast se do t’iu jepej pension duke qenë pjesëtarë të komunitetit LGBT, ata kanë gatishmëri të heqin dorë nga statusi i veteranit të UÇK’së, edhe ashtu i rrejshëm.

Por, fati i mirë është që ky ishte veç një hulumtim provokativ. Në të kundërtën edhe në mesin e LGBT’së do të ekzistonte problemi i fryerjes së listave.

Lajmet në rubrikën "Satirë" janë lajme satirike, dhe si të tilla në shumicën e rasteve janë lajme të sajuara dhe jo të vërteta.

Loading...