Sherr mes familjeve Luci dhe Peci, shtyhen cila është më e madhe

  • October 24, 2018 10:29
  • Satirë

Dy familjet e mirënjohura të trungut pellazgo-iliro-shqiptar, Peci dhe Luci, ditëve të fundit janë gjetur në polemika me njëra-tjetrën.

Këto familje që për kohë të gjatë kanë jetuar në harmoni, së fundit janë zhytur në një konflikt të thellë për shkak të garës se cila nga familjet është më e madhe.

Korrespodenti ynë për familjet me mbiemra problematikë ka ndjekur nga afër këto polemika, dhe ka vërejtur se ka qenë familja Luci e cila e ka nisur konfliktin, duke pretenduar se kur kanë ekzistuar ata, familja Peci nuk ishte askund.

“Familja Peci janë të vonshëm. Ata e kanë prejardhjen nga familja Luci, por për arsye praktike e kanë deformuar mbiemrin”, i ka thënë një përfaqësues i familjes Luci gazetarit tonë.

Kurse, ndryshe janë shprehur krejt nga familja Peci. Këta të fundit i kanë thënë gazetarit tonë se familja Peci ekziston që nga shekulli XII, dhe në viset e sotme shqoptare kanë zbritur nga Karpatet. Më pas, sipas versionit të tyre, familja Luci është degëzim i tyre tek në shekullin XVI, dhe ky mbiemër iu kishte mbetur për shkak të migrimit të shumtë në Lucern (Luzern) të Zvicrës.

Nga të dyja palët ka pretendime se janë më të mëdha se tjetra. Megjithatë, nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës ende nuk janë publikuar shifra se cila familje numëron më shumë anëtarë.

Lajmet në rubrikën "Satirë" janë lajme satirike, dhe si të tilla në shumicën e rasteve janë lajme të sajuara dhe jo të vërteta.

Loading...