Rama përmirëson veten: Unë thashë që Hashimi s’është tradhëtar, por gomar

  • November 26, 2018 21:29
  • Satirë

Kryeministri shqiptar Edi Rama sot bëri bujë me një deklaratë gjatë takimit të dy qeverive në Pejë. Siç u raportua nga mediat, kreu socialist kishte deklaruar se “kushdo që e quan Hashim Thaçin tradhëtar është gomar”.

Një deklaratë e tillë nxiti debat në mesin e kosovarëve, e veçanërisht u preken disa liderë të partive politike që Thaçit i janë drejtuar vazhdimisht me këtë epitet.

Por e vërteta e kësaj deklarate del të jetë ndryshe. Është vetë kryeministri shqiptar që ka deklaruar para pak çastesh në një studio televizive se deklarata e tij u keqinterpretua nga mediat.

“Shiqo tani. E vërteta është se deklarata ime u nxorr nji çikë nga konteksti dhe them se kjo u bë qëllimshëm nga kazanet mediatike andej e këndej Drinit, siç thoshte i madhi Dritëro. Unë isha i qartë në deklarimin tim. Thashë vetëm një gjë: Hashim Thaçi mund të jetë gomar, por jo tradhëtar. Kupton?”, ka deklaruar Rama.

Kryeministri shqiptar Rama në vazhdimësi ka pasur marrëdhenie të mira me presidentin kosovar, Hashim Thaçi.

Lajmet në rubrikën "Satirë" janë lajme satirike, dhe si të tilla në shumicën e rasteve janë lajme të sajuara dhe jo të vërteta.

Loading...