Probleme me “kredencialet morale” të Milazim Krasniqit

  • January 11, 2019 15:31
  • Opinion

Lidhur me reagimin e Milazim Krasniqit për “Fjalorin enciklopedik të Kosovës”, se emri i tij është keqpërdorur dhe se ai “është tërhequr” ose ka “qenë i përjashtuar në mënyrë të heshtur” nga redaksia e informimit të “Fjalorit…”, si kryeredaktor jam i detyruar ta jap këtë sqarim:

1. Milazim Krasniqi është zgjedhur nga Redaksia qendrore anëtar i redaksisë së informimit me propozimin e redaktorit të fushës, Ibrahim Berishës, dhe, duke qenë anëtar i kësaj redaksie, ka nënshkruar një kontratë me Akademinë dhe ka marrë pagesën në vlerë 900 euro. (Tërheqja pasi t’i marrësh paratë, nuk mund të konsiderohet e vlefshme);

2. Milazim Krasniqi si anëtar i redaksisë ka qenë i obliguar që të gjitha detyrat e punës t’i koordinojë me redaktorin e fushës përkatëse, Ibrahim Berishën (nuk ka qenë e domosdoshme të jetë autor zërash, nëse këtë detyrë nuk ia ka caktuar redaktori i fushës);

3. Milazim Krasniqi nuk ka njoftuar me asnjë shkresë qoftë kryeredaktorin qoftë Redaksinë qendrore se tërhiqet nga redaksia e fushës së informimit. As redaktori i fushës, Ibrahim Berisha, nuk ka bërë njoftim me shkrim për tërheqjen e Milazim Krasniqit nga pjesëmarrja në këtë projekt. Po të ndodhte kjo, në zbatim të kontratës, pala nënshkruese duhej t’i kthente paratë sepse, në të kundërtën, çështja duhej të përfundonte në gjyq, ndërsa Redaksia qendrore, me propozimin e redaksisë së fushës, do të zgjidhte një anëtar tjetër të redaksisë së fushës së informimit dhe, në këtë mënyrë, emri i Milazim Krasniqit nuk do të ishte “keqpërdorur”.Tani, pas këtij shpjegimi, për “kredencialet morale” le të gjykojë vetë Milazim Krasniqi.

Loading...