Moralizues e të papërgjegjshëm

  • November 09, 2018 10:31
  • Opinion

Hashim Thaçi u takua sërish të enjten mbrëma në Bruksel me Aleksandër Vuçiqin, pavarësisht kundërshtimeve dhe kritikave verbale nga opozita. Zyrtarisht të dy thanë se kishin biseduar për çështje të ndryshme, por opinion nuk e di se çfarë ata kishin diskutuar vërtet.

Takimi ndërmjet dy presidentëve nuk ishte paralajmëruar me kohë, siç ndodh rëndom dhe, po ashtu, kishte munguar transparenca për temat që do të diskutoheshin. Siqodoftë, dialogu po vazhdon.

Dialogu po vazhdon dhe Hashim Thaçi po e përfaqëson vendin në të përkundër deklarimeve të Lëvizjes Vetëvendosje se kjo parti, me protestën masive të organizuar në fund të shtatorit, ia kishte dalë ta ndalë presidentin.

Dialogu po vazhdon dhe Hashim Thaçi po e përfaqëson vendin në të përkundër deklaratave dhe përpjekjeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me Vetëvendosjen, për të miratuar një rezolutë në Kuvend.

Muaj me radhë qytetarët janë bombarduar nga tema e dialogut, nga ideja e presidentit për “korrigjim kufijsh”. Muaj të tërë kanë pasur në dispozicion opozitë e pushtet që ta mendojnë se si t’i qasen dialogut me Serbinë, si ta krijojnë një platformë negociuese, si të arijnë një koncensus për një temë kaq të rëndësishme. Por, këtë nuk e kanë bërë. Nuk e kanë bërë, sepse nuk kanë dashur. Nuk e kanë bërë, sepse nuk e kanë pasur seriozisht.

* * *

Shumë hipokrizi, moralizim e papërgjegjësi po e përcjellin atë që po konsiderohet fazë finale e dialogut me Serbinë. Opozita ka deklaruar vazhdimisht se Hashim Thaçi, me aventurën e tij të rrezikshme për korrigjim kufijsh, duhet të ndalet. Por asnjëherë nuk është treguar serioze që kjo të ndodh.

Sikurse presidenti që është treguar i papërgjegjshëm karshi qytetarëve dhe vendit që përfaqëson, duke u futur në të tilla aventura, ashtu edhe opozita është treguar e papërgjegjshme karshi presidentit, në përpjekjet dhe veprimet e veta për ta ndalur atë.

Sa serioze ishin përpjekjet e opozitës mjafton të shihet seanca e Kuvendit e para pak ditësh, kur duhej të votohej rezoluta e propozuar nga LDK e VV që ia ndalonte Thaçit të diskutonte me Serbinë për territorin. Për të votuar rezolutën në sallë nuk ishin madje as të gjithë deputetët opozitarë, duke treguar kështu se betejën kundër Thaçit nuk e kanë seriozisht. Po të ishte ndryshe, të paktën atë ditë të pranishëm në seancë do të duhej të ishin të gjithë deputetët e LDK’së e VV’së. Po ta kishin seriozisht, atëherë partitë opozitare do të bënin çmos që të siguronin vota edhe në kampin e partive në pushtet, ose edhe të arrinin një koncensus, në mënyrë që rezoluta të kalojë. Kjo nuk ndodhi, andaj Hashim Thaçi nuk ka kurrfarë arsye të mos e vazhdojë dialogun me Aleksandër Vuçiqin dhe të diskutojë me të edhe për shkëmbimin e territoreve.

Tregim në vete i papërgjegjësisë, moralizimit e hipokrizisë janë partitë në pushtet. Të gjitha, madje edhe Partia Demokratike e Kosovës, deklarohen kundër ideve të presidentit, por kur vjen puna të veprojnë në Kuvend dhe të bëhen bashkë me opozitën, ato nuk janë të gatshme që ta kundërshtojnë Thaçin.

Nuk janë të gatshme, sepse Thaçi është kumbar i koalicionit qeverisës dhe, kurdo që ai dëshiron, mund ta rrëzojë qeverinë. Nuk janë të gatshme, sepse më shumë e duan pushtetin, sesa shtetin.

* * *

Hashim Thaçi është i diskredituar, nuk përfaqëson unitetin politik e as shoqëror sipas kushtetutës dhe bën çmos që të përfitojë politikisht. Por, më e rezikshme për të gjithë është që ai të lihet i lirë të dialogojë dhe të arijë marrëveshje.

Thaçi mund të ndalet nëse opozita merr përgjegjësi për dialogun. Përtej politikës ditore dhe deklaratave për konsum partiak, partitë duhet të mendojnë dhe të veprojnë seriozisht që kjo të ndodh. Sepse nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka zgjidhje tjetër.

Është e domosdoshme që të gjitha subjektet politike të sillen me përgjegjësi karshi procesit. Nuk kontribuohet duke kundërshtuar dialogun, duke kundërshtuar verbalisht Thaçin, por duke marrë përgjegjësi.

Andaj Kuvendi duhet të jetë vendi që i bën bashkë subjektet politike, që të diskutojnë gjithçka që ka të bëjë me dialogun. Le ta lënë anash emrin Hashim Thaçi dhe të diskutojnë për thelbin e procesit.

Abstenimi nga procesi është zgjidhja më e keqe. Thaçi nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë aventurën e tij të rrezikshme. Nëse arrin marrëveshje të dëmshme me Serbinë, pasojat e saj do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës. Prandaj, ai nuk duhet lejuar ta bëjë një gjë të tillë.

Loading...