Mbi-pesha e ngarkuar e një botimi

  • November 01, 2018 16:00
  • Opinion

Botimi i “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”, më në fund inicioi një debat aq të munguar intelektual në shoqërinë tonë, të dominuar nga temat e “mëdha” për: kufijtë e territoret; për ndarje e bashkim, apo për korrigjim e shkëmbim tokash.

Pas një kohë të gjatë të hiperprodukcionit të temave gjeopolitike, që nuk treten dot nga ne, por vendosen jashtë nesh; ky botim hapi diskutimin- së paku në dukje jopolitik- rreth botimit të parë leksikografik në historinë e Kosovës.

Nëse do përmblidhej i tërë ky debat, del se ai u morr me dy çështje: me botuesin dhe me botimin. Pra, me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe me Fjalorin Enciklopedik. Më shumë me të parën, se sa me këtë të fundit.

Për të parën, nuk jam i thirrur të flas, sepse nuk jam anëtar i Akademisë, por do shpreh mendimin tim për të dytën, duke qenë redaktor i fushës politike dhe juridike të këtij fjalori.

Fundja, për këtë më detyron emri, që si redaktor, me emrat e redaktorëve të fushave tjera, janë që në faqen e parë të këtij botimi.

Secili nga ne si redaktor të fushave, mbajmë përgjegjësi dhe nuk mund të marrim pozitën e strucit, por duhet dhënë sqarimet për çështjet që u ngritën nga ky debat publik.

I tërë procesi i krijimit të këtij fjalori ishte punë gjashtë vjeçare ndër-sektoriale midis fushave të ndryshme, ku secili redaktor sugjeronte, por jo rrallë edhe ndërhynte në çështjet e fushës tjetër, sa herë që konsideronte se ajo mund të përmirësohej. Sidomos për ngjarje apo personalitete që binin në dy a më shumë fusha njëkohësisht.

Ishte kjo një punë, që besoj se do pajtoheni, ndodh rrallë për të mos thënë fare në hapësirat tona, ku një numër kaq i madh i njohësve të fushave të caktuara, kryqëzonin atë që dinin në një botim të tillë vëllimor, duk e përmbyllur deri në fund një proces, që në fillim na dukej mission impossible.

Më bëri përshtypje që kaq shumë intelektualë, mundeshkan të punojnë në mënyrë ekipore, hendikep ky për shqiptarët- të njohur si tejet individualist.

Kaq për procesin.

Po botimi?

Ai nuk mund të jetë ajo që nuk është, as të mbajë mbipeshën që i mbi-ngarkohet e nuk e përballon dot. Debati publik sikur e mbikaloi misionin dhe formatin real të një fjalori encikolpedik.

Ai nuk është enciklopedi e as botim historiografik, por një publikim që përmban informacione të shkurtëra për: ngjarje, fenomene dhe persona. Nuk i interpreton e as komenton, por vetëm ofron informacionin themelor për to.

Si çdo botim, sa do i mprehtë të ketë qenë syri redaktues e korrektues, as ky nuk mund ti shpëtoj lëshimeve eventuale. Sidomos si një botim vëllimor, ku edhe mund të jenë harruar ngjarje apo personalitete, por jo me qëllim, e aq më pak nga çfardo qoftë tendence: ideologjike, klanore apo krahinore.

Duke mos qenë univerzalist, unë nuk mund të flas për fushat tjera- jashtë kompetencës sime; por mund dhe duhet të jap mendimin tim për fushën që redaktova, ate politiko-juridike.

Menjëherë po e them qartë se për lëshimet eventuale që mund të jenë përvjedhur në këtë fushë, përgjegjsësia është e imja; qoftë  nëse mungon ndonjë  zë i rëndësishëm nga kjo fushë, apo ka gabime të natyrës teknike, si bie fjala gabime në vitet e lindjes apo të vdekjes, e të ngjashme.

Në reagimet ndaj Fjalorit Enciklopedik, së paku për fushën time të përgjegjësisë, dy ishin të natyrës përmbajtësore. E para, për ngjarjet politike të vitit 1990 dhe e dyta për mungesën e zërit për Dr. Bajram Rexhepin.

Sa i përket vërejtjes së parë: edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Kaçanikut; që të dyja janë të përfshira në fjalorin enicklopedik (e para, në faqen 301 dhe e dyta në faqet 930-931). 

Vërejtja e dytë, për mungesën e zërit për dr. Bajram Rexhepin qëndron dhe e pranoj si lëshim timin. Si redaktor i fushës ky është gabimi im, por jo si pasojë e ndonjë tendencë mohuese ndaj pesonalitetit të tij, aq më tepër që e njihja që nga koha kur ishte Kryetar i Mitrovicës e së fundi, para se të ndërronte jetë, ishim bashkë në një konferencë në Vjenë.

Duke qenë figurë, shumë-dimensionale që binte edhe në fushën e mjekësisë, (me profesionin- mjek), edhe në fushën e Luftës së fundit, (që kishte mjekuar luftëtarët e UÇK), mund të jetë që është menduar se do trajtohej në zërat e më shumë fushave.

Ndërkaq, në fushën tqë redaktova- ate politiko-juidike, Dr. Bajram Rexepi është përfshirë brenda zërit “Qeveritë e Kosovës (1974-2008)”, si Kryeministër i Qeverisë së parë të Kosovës së pas luftës- nën adminsitrimin e UNMIK-ut (faqe 1365).

Megjithate, nuk ka arësyetim, e pranoj lëshimin.

Për gabimet tjera si ato të natyrës teknike, si viti i gabuar i lindjes apo i vdekjes, nuk vlen të diskutohet sepse ato ndodhin në çdo botim leksikografik, si bie fjala në ate të fundit të ASHA të Maqedonisë, ku pos gabimeve përmbajtësore dhe politikisht fyese për shqiptarët, pati edhe mjaftë gabime sa i përket viteve për personalitet e njohura.

Gabimet teknike në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës do të korrigjohen gjatë ribotimt të fjalorit, sikur edhe ato përmbajtësore.

Jemi njerëz e gabojmë dhe nuk është dobësi pranimi i tyre. Përkundrazi guximi intelektual nënkupton edhe pranimin e gabimit.

Loading...