E vërteta e pakëndshme e ajrit ambiental

  • December 01, 2018 22:00
  • Opinion

Një problem që njihej, por nuk pranohej si më seriozi për specien njerëzore që prej shfaqjes në planet. Tashmë pranohet, diskutohen vetëm shkaqet: a është ky një proces ciklik natyror sipas mohuesve të ndryshimeve klimatike dhe biznesve të fosileve apo i përshpejtuar nga faktori njeri siç argumenton çdo ditë shkenca. Diskutohen edhe kufijtë planetar: sa mund të mbaj sistemi dhe kur pritet të kalohet në pika e të pakthyeshmes. Secili raport i publikuar nga shkenca elitare botërore po tregohet më alarmant se i kaluari.

Ndërkohë, Kosova po pastrohet nga mbeturinat sipas mesazhit që po jepet nga institucionet, mediat si dhe fushata intensive dhe e admirueshme e vullnetarëve në terren. Sado që më të dukshme e bezdisëse, mbeturinat nuk janë problemi kryesor i Kosovës në raport me shëndetin publik. Edhe më herët kam vlerësuar se mbeturinat qëndrojnë më poshtë në ranglistë në krahasim me ndotjen e ajrit ambiental dhe cilësinë e ujit të pijes. Mbeturinat nuk diskutohet se degradojnë mjedisin, por nuk marrin jetë njerëzish si ndotja e ujit dhe ajrit, me përjashtim të hazardeve. Këtë vlerësim, pas shumë matjeve e raportimeve vendore e ndërkombëtare, për fat të keq e konfirmoi Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) në Raportin e fundit  për Cilësinë e Ajrit. Sipas raportit, Kosova është në krye të listës për numrin e viteve të humbura të jetës, dhe e dyta (pas Maqedonisë) për vdekshmëri në raport me numrin e banorëve nga ndotja e ajrit me PM2.5. Terma deprimuese për tu shkruar për vendin tënd, që ka vlera të jashtëzakonshme natyrore.

Në shkencat mjedisore, sinonim i ndotjes së ajrit është djegia. Çkado që digjet, sipas ligjshmërive natyrore liron shkarkime në ajër që njihen si ndotës primar. Por, jo të gjithë shkaktojnë të njëjtin dëm mjedisor dhe toksicitet. Ky konglomerat përfshin: ndotës më pak toksik, ndotës që pas kontaktit me përbërsit atmosferik rrisin toksicitetin (ndotësit sekondar) e deri te ndotësit që po cënojnë seriozisht shëndetin e planetit (CO2, metani dhe CFC-të).

Ndotësit e ajrit sot quhen“vrasësit e padukshëm” duke vepruar që nga niveli sub-qelizor e deri te ngrohja globale. Secili nga këta ndotës shkakton efekte e sëmundje të veçanta e të gjithë së bashku atakojnë shëndetin e njeriut duke përfunduar edhe me vdekjet e parakohshme. Shifrat globale të vdekjeve nga ndotja e ajrit sillen prej 5-7 milionë në vit varësisht prej raportimeve (WHO, UNEP, EPA, EEA, IPPC, universitetet elitare etj.). Studimi më i fundit nga Universiteti i Chicagos mbi Air Quality Life Index dha një shifër alarmante: 1.8 vjet jete të shkurtuara nga ndotja e ajrit në nivel global. Sa për krahasim, nga luftërat dhe terrorizmi sipas studimit shkurtohen 22 ditë jete në nivel global, ndërsa AIDS shkurtohen 4 muaj.

Ndotësit më i rrezikshëm me ndikimin më direkt në shëndet e kanë padyshim thërrmijat e imta e sidomos ato PM2.5, që duke qenë shumë të vogla në dimensione, nuk ndalen dot nga kanalet e frymëmmarjes, por direkt në indet e mushkërive, e prej aty në gjak. Fatkeqësisht, sipas raportit të EEA ky është pikërisht parametri ku Kosova qëndron keq. Nuk janë më mirë as shtetet fqinje, por kjo nuk ngushëllon aspak.

Pse jemi këtu ku jemi?

Pra e gjithë bota ka problem sot me ndotjen e ajrit. Janë disa arsye që Kosovën e kanë vendosur tashmë në podiumin e listave të ndotjes së ajrit, të pasojave në shëndetin publik dhe fataliteteve. Kushetuta jonë nuk na garanton të drejtën për mjedis të shëndetshëm nenin 52 të Kushtetutës. Nga aspekti i qeverisjes, mjedisin e ka përcjell një injorim total në politikat zhvillimore të të gjitha qeverive pa përjashtim. Qeverisjet qendrore e lokale mjedisin e kanë pasur zakonisht te rubrikat e fundit të masave. Për prioritet, as të mos flasim. Fat apo jo, duket se ballafaqohemi me sindromin e njohur si “mallkimi i resurseve”, pra kur pasuritë natyrore të kthehen në fatkeqësi. Ky nuk është rast i panjohur në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim ku radhitemi edhe ne. Furnizimi i Kosovës me energji mbështetet në lignit, që në botën moderne (e sidomos në BE) konsiderohet burimi më jo-miqësor i mjedisit për shkarkimet dhe efektin serrë. Me rreth 97% energji nga ligniti (energji një-burimore), KEK-u është burimi kryesor i palëvizshëm i ndotjes. Ndotësit individual strategjik si KEK-u, kudo në botë gjejnë “vrima” ligjore e politike për ta “mundur” shumicën që janë qytetarët. KEK-u e “lufton” hapur madje edhe para institucioneve përgjegjëse faktin se është ndotësi kryesor në vend, pavarësisht raporteve vendore e ndërkombëtare të monitorimit. Ligniti, druri, mazuti e nafta janë baza e ngrohjes për familjet kosovare gjatë dimrit. Alternativa më miqësore ndaj mjedisit në treg për momentin ka pak, për të mos thënë aspak.

Në rrugët e Kosovës qarkullojnë mbi 300 mijë vetura e kamionë, shumica e të cilave në vendet e origjinës llogariten si skrap. Nuk dihet se si i kalojnë normat minimale teknike! Motorët e tyre djegin karburante (kryesisht dizel) të cilësisë së dobët, pavarësisht çmimit të lartë blerës. Shkarkimet e tyre e bëjnë transportin rrugor burimin kryesor të ndotjes nga burimet e lëvizshme. Kontrolli  i cilësisë së derivateve, një ekuacion me shumë të panjohura.

Prerja e pyjeve ka arritur përmasa alarmante, plus djegia e tyre dhe nuk pushon “tkurrja” e hartës pyjore të Kosovës. Gjelbërimi është filtri më i mirë i ajrit, mirëpo në qytetet tona nuk ndalon zhdukja e tij nën beton dhe asfalt. Nëse Prishtina vëzhgohet me dron, ngjyra e gjelbër brenda qytetit pothuajse është inekzistente. Mbjellja e gjelbërimit të ri është minimale dhe në asnjë kombinim nuk e kompenson shkallën galopante të zhdukjes. Për ta pre një dru duhen pak minuta, po për ta sjellë atë dru në moshën e prerjes duhen vite e dekada.

Jemi mbase i vetmi popull në botë që për festën e 1 majit ndezim goma, traditë e lidhur me “flakën e revolucionit” socialist. Tymi i zi që lirohet nga gomat nuk do shumë mend e analiza laboratorike se çfarë kontaminuesish të ajrit ua servon të pafajshmëve që e thithin. Tonelata të tjera gomash digjen natën nëpër furrat e gëlqeres. Kurrsesi të lirohemi nga tradita bizare që pas korrjeve të drithnajave të digjen hamulloret (sërrnishtat). Kjo piromani, përveç se shkatërron substratin biotik e abiotik të dheut për mbjelljet e ardhshme, ia shton edhe një pikë të vogël kazanit të mbushur të ndotësve të ajrit. Djegim mbeturina, madje edhe nëpër kontejner. Dhe, krejt në fund, por jo pa rëndësi, larja e rrugëve nga pluhuri e ndotja e depozituar është “luks” për vetëm disa rrugë kryesore të qyteteve.

As me ajrin e brendshëm, ku kalojmë shumicën e kohës sonë nuk jemi më mirë. Në një temë diplome për ujin, që e kam mentoruar në edukimin mjedisor, njërës nga pyetjet për nxënësit e klasës së gjashtë se: Cilën e konsideroni më të rëndësishmen për jetën e njeriut: uji, buka apo duhani?”, njëri nga rreth 100 nxënësit e hulumtimit kishte dhënë përgjigje befasuese: duhani. Kur u pyet për arsyen, përgjigja ishte edhe më dëshpruese: dëgjoj babain që thotë shpesh se ”pa bukë e uji rri, e pa duhan nuk mund të rri”. T`u  thuash të tillëve se tymi yt dëmton të tjerët (përfshirë fëmijët), mund të të vë në konflikt me logjikën “kur s`më dhimbset vetja, nuk mërzitem për të tjerët”. Ligji për ndalimin e duhanit në hapësirat publike mbetet ende larg zbatimit. Përndryshe, duhani vjen menjëher pas PM2.5 për nga numri i vjetëve jetë njerëzore të shkurtuara.

Me këtë diversitet shkarkimesh në ajër: nga burime të lëvizshme ose të palëvizshme, diku më shumë e diku më pak, disa periodike e disa permanente, ndotësit bëhen pjesë e qëndrueshme e volumit të ajrit që thithim brenda mushkërive tona, duke kontaminuar tutje secilin ind dhe qelizë.

Një problem që nuk ka zgjidhje, nuk është problem!

Si të dilet nga kjo gjendje? Gjithçka ndryshe nga ajo që kemi bërë deri tani dhe po bëjmë ende. Paniku në popullatë nuk i shërben zgjidhjes. Duhen hapa konkret në të tri shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm: zgjidhje të qëndrueshme për mjedisin, të përballueshme për ekonominë dhe të pranueshme për shoqërinë.  Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta amandamentoj Kushtetutën, ashtu që neni 52 si pjesë e Kapitullit “Të drejtat dhe liritë”, të garantoj të drejtën për mjedis të shëndetshëm. Këtë pikë, që Rezoluta e Kuvendit kundër ndotjes e ka lënë të fundit, duhet ta vendoste të parën. Kjo duhet të jetë pikënisje e çdo legjislacioni tjetër mjedisor në Kosovë.

Politikat shtetërore për ruajtjen e mjedisit duhet të ndryshojnë rrënjësisht. Duhet të lëvizet nga monitorimi e raportimi tek veprimi institucional e shoqëror. Qeverisja e mirë paraqet shtyllën e katërt të zhvillimit të qëndrueshëm. Nuk duhet që mjedisi t`i bëhet barrierë zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe që në emër të zhvillimit të masakrohet shëndeti publik nuk ia vlen. Po të përjetonim një “boom” ekonomik si Kina ose India (me qytetet e të cilave po “konkurrojmë” sipas Indeksit të Cilësisë së Ajrit-AQI), kjo ndotje edhe “përbihet” disi. Por, jemi vendi më i varfër në Evropë, pavarësisht potencialeve të mëdha për të qenë shumë më mirë sesa jemi sot.

Shteti serioz punon në zgjidhje afatgjata e të qëndrueshme të problemeve. Gjithë ato rezoluta, strategji mjedisore e plane veprimi me frazeologjizma të admirueshme, task-forca pa fund duhet të përkthehen në hapa konkret, të zbatueshëm e të matshëm. Këto hapa mund të duken të vegjël, por vendosin bazat e besueshmërisë së qytetarëve për zgjidhjeje të qëndrueshme të problemeve mjedisore dhe përmirësimit të shëndetit publik. Nëse zyrtarët e institucioneve besojnë se “maskimi” pas fotove me dorëza e kollare gjatë pastrimit të mbeturinave, mbulon dështimet në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik e kanë gabim. Raporti i EEA ua tregoi edhe njëher të vërtetën e pakëndshme. Raporti është vetëm ri-konfirmimi i asaj që ekspertët kosovar mjedisor e shëndetësor thërrasin për afër dy dekada: nuk ka shëndet publik të sigurt me nivele të tilla ndotje. Maksima “më i lehtë parandalimi se shërimi” vlen katërcipërisht për këtë gjendje. Sa më herët dhe më seriozisht të investohet në përmirësimin e cilësisë së parametrave të cilësisë së ujit dhe ajrit (pa nënvleftësuar tjerat), kostoja e mbrojtjes së shëndetit publik do të jetë më e lehtë. Kostoja e ndotjes duhet të filloj të transferohet prej qytetarit tek ndotësit (persona fizik dhe juridik) sipas parimit “ndotësi paguan”.

Vetëdija e njerëzve tanë për mjedisin duhet të ndryshoj. Ndotjen nuk na e ka sjell askush, atë e krijojmë vet. Ndotje të ajrit nuk ka vetëm në Prishtinë e Obiliq, pavarësisht se ka më së shumti. Nuk janë më mirë Mitrovica, Drenasi, Gjilani e as qytetet tjera. Ndotësit e ajrit nuk “zhduken” vetëm pse ne nuk i shohim, ata janë aty në një formë ose tjetrën. Këtë mjedis vet po e ndotim, dhe vetë po paguajmë koston. Në veprimin ngdaj mjedisit secili veprim çon peshë, qoftë për mirë a për keq. Edhe një thes mbeturina që largohet sot nga vullnetarët çon peshë, sikurse edhe nje thes që hidhet ku nuk nuk  e ka vendin nga të papërgjegjshmit. Vetë e kemi në dorë të bëjmë më mirë! Ose edhe më keq. Ky problem nuk zgjidhet për një ditë, por por është duke na vrarë çdo ditë. Edhe zgjidhet duke vepruar të gjithë në secilën ditë, posaqërisht ata që bartin përgjegjësitë institucionale. Para disa viteve kur kishim probleme shëndetsore, mjekët na rekomandonin: delni në ajër të freskët jashtë. Sot arritëm ditën kur mjekët thonë “mos delni nga shtëpitë” se helmoheni nga ajri i ndotur.

Loading...