Djemtë që mbrojnë shtetin

  • October 12, 2018 09:00
  • Opinion

Nuk ka shumë kohë kur të shpallnin tradhtar po që se thoshe se Kosova duhet ta ketë kombëtaren e vet në futboll. Nuk ka shumë kohë kur të sulmonin e të etiketonin vetëm pse shprehje dëshirën më normale të mundshme - që edhe shteti i ri, shteti ynë, Kosova, të prezantohej sa më mirë në sport, me djem e çika. “Kujdestarët e patriotizmit” rrinin gati që ta quanin me shprehjet më të ulëta secilin që denjonte të shprehte dashurinë për shtetin e tij, dashurinë për djemtë që tregoheshin të gatshëm të luanin për Kosovën kurdo që të pranohej në UEFA e FIFA, dashurinë për flamurin verdhekaltër, dashurinë për himnin që përfaqësonte shtetin.

Argumentet e tyre kryesisht ishin të cekëta, të tipi se ekziston vetëm një kombëtare në futboll, se Kosova nuk mund të kishte kombëtare por përfaqësuese e të tjera kotësira si këto. Provonin të thoshin se, diqysh Kosova nuk ishte e fortë, nuk ishte “pernime” dhe nuk duhej humbur kohë me të. Provonin të të bindnin se Kosova ishte diçka tranzitore, diçka që nuk duhej vlerësuar. Frikësoheshin ta cilësonin ekipin e ardhshëm kosovar të futbollit si kombëtare. Sikur iu humbte krenaria.

Por, shpejt kohët ndërruan. Vendi u pranua në insitucionet ndërkombëtare të futbollit dhe djem gjithandej kontinentit iu bashkuan ekipit të ri. Mijëra vetë dyndeshin drejt Shkodrës, për të parë ata tek luanin, ndonëse me pak rezultate pozitive. Por, e rëndësishme ishte që ekipit i bashkoheshin talentë të rinj, të gatshëm të japin gjithçka, për t’i dhënë emër Kosovës, kombëtares së saj. E rëndësishme ishte që ekipi po forcohej çdo ditë e më shumë dhe në ndeshjet ndërkombëtare valonte flamuri e intonohej himni i shtetit. E rëndësishme ishte që kosovarët kishin për kë të bënin tifo me zemër. Më e rëndësishmja ishte që, më në fund, kishim djem që lartësonin shtetin, mbronin shtetin.

* * *

Të enjten, ditën kur Kosova luajti kundër Maltës, politika po vazhdonte rutinën e zakoshme të përplasjeve e mospajtimeve për dialogun, për korrigjimin e kufijve. Sikurse edhe javë e muaj përpara - asgjë e re, as e jashtëzakonshme. Presidenti në Armeni, duke promovuar idenë e tij të rrezikshme për kufijtë, kryeparlamentari në Prishtinë duke promovuar koncensusin e shtirur për marrëveshjen me Serbinë.

Ndërkohë, të vetmit që kishin arritur koncensus me kohë ishin qytetarët e Kosovës, të cilët kishin bërë çmos për të siguruar një biletë që do t’ua siguronte një vend në stadiumin “Fadil Vokrri”, për t’i parë djemtë e Kombëtares. Qindra nga ta kishin pritur dy ditë rresht për të blerë bileta, të tjerë i kishin siguruar në tregun e zi, e dikush tjetër në të tjera mënyra. Të gjithë me një qëllim - t’iu jepnin përkrahje djemve që nuk kursenin asgjë për t’i bërë krenarë të gjithë që i kishin sytë në ta. Për t’i bërë krenarë miliona njerëz anembanë botës që prisnin fitoren e radhës.

Dhe, në kohën kur Kosova po eksporton veç lajme të këqija në botë, janë kryesisht lajmet për fitore në sport të djemve tonë, lajmet për sukseset në sport e muzikë të çikave tona ato që po shfaqin një tjetër fotografi të vendit jashtë. Një fotografi të Kosovës normale, plot dashuri e optimizëm, pavërësisht një mijë halleve e problemeve.

* * *

Teksa lexon statuset e politikanëve në Facebook pas fitores së Kosovës, nuk mund të mos sjellësh ndërmend se çfarë kanë bërë dhe bëjnë ata për vendin, për ta ndihmuar e përparuar atë, për t’ua bërë më të mirë jetën qytetarëve.

Teksa i pari provon me çdo kusht që ta ndajë vendin, i dyti kundërshton ndarjen, por jo edhe keqqverisjen e nepotizmin. Të tretit tash i ka ra ndërmend se duhet të luftohet korrupsioni, ndërkohë qa partinë e ka plot të korruptuar e të akuzuar. Të katërtit, që shfaqet kundër tre të parëve, nuk i pëlqen Kosova shtet, nuk ia respekton himnin as flamurin, as kombëtaren në futboll. I pesti, ndërkaq, vazhdon ta mbajë inatin pse nuk e lanë edhe pak në krye të qeverisë dhe bën plane se si e me kë të kthehet sërish. Edhe i gjashti, i shtati e të tjerët me radhë nuk është se bëjnë punë të mira qoftë në kryeqytet, qoftë në komunat tjera që i qeverisin.

Mesazhet që dërgojnë ata nga Kosova janë të tilla që nuk bëjnë krenar askënd, më së paku qytetarët. Por të tjera janë mesazhet e djemve të Kombëtares së Kosovës. Ato janë mesazhe suksesi e shprese. Janë mesazhe të Kosovës normale, që ka mbetur në dorë të njerëzve aspak të tillë. Janë mesazhe krenarie.

Loading...