Brunilda Lahe tregon si u njoh 10 vite më parë me Arjon Muçën

  • October 12, 2018 12:31
  • Rozë

Për prezantuesen prej katër vitesh të serive “Living”, Brunilda Lahe, të dy partnerët e saj në këtë program janë unikë në llojin e tyre, ndërkohë që me atë aktualin Arjonin bëhen çift në këtë rrugëtim televiziv pas një njohjeje 10-vjeçare.

Për intervistat dhe reportazhet në shtëpitë e personazheve plot stil e klas, Brunilda flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Rikthehesh me sezonin e ri te “Living”. Si ndihesh që ti realizon kronika e intervista për stilin e aspekte vetëm të bukura të jetës?
“ My Living”, prej 4 vitesh më jep mundësinë të takoj personazhe që kanë një stil të bukur jetese, kanë pasione që u kushtohen pa kushte dhe janë krijues. Prej tyre kam mësuar sekretin: të fokusohesh te vetja dhe te ajo që të bën të lumtur. Ndihem me shumë fat që kam takuar secilin prej tyre.
Këtë sezon ti ndryshon partner. Ikën Xhani Shqerra dhe vjen Arjon Muça, si e komenton njërin dhe tjetrin?
Të dy janë unikë në llojin e tyre.

Ke pasur njohje më parë me Arjonin dhe si u ndjeve që do e kesh bashkudhëtarin e ri në këtë projekt televiziv?
Epo erdhi momenti të tregoj këtë episod: Unë jam gazetarja e parë që i kam bërë intervistën e parë Arjonit si model, kur ai sapo ishte kthyer nga Italia, 10 vite më parë. Arjonin e njoh prej asaj kohe, por për shkak të angazhimeve të ndryshme jemi takuar shumë rrallë gjatë këtyre viteve, por në distancë kemi respektuar dhe vlerësuar rrugëtimin profesional të njëri-tjetrit.
Të vizitosh shtëpi e të flasësh me zonja e zotërinj që jetojnë bukur është rutina jote tashmë. Ka shumë njerëz të pasur Shqipëria dhe çfarë të bën përshtypje në bisedat me ta?
Kur nisi ky program, menduam se duke u bazuar vetëm te “lifestyle” do të ishte e vështirë, gati e pamumdur. Megjithatë, javë pas jave zbuluam se në Shqipëri ka njerëz, të cilët kanë një stil të bukur jetese. Është krijuar përshtypja se ne intervistojmë njerëz të pasur e me shumë të ardhura, por në të vërtetë jo të gjithë janë të tillë. Shumë prej tyre janë njerëz që kanë një profesion dhe të ardhura mesatare, por pasion shumë të madh për atë që bëjnë. Ne fokusohemi te ky segment i bukur i ditës së tyre. Ajo që më bën përshtypje është se të gjithë kanë një jetë të mbushur me eksperienca, janë njerëz që kanë eksploruar.

Çfarë të ka impresionuar deri tani, kë do të veçoje si rrëfimin që të ka lënë vërtet mbresa?
Secili bashkëbisedim ka diçka për të veçuar. Do të shkëpus takimin e fundit me familjen Kame. Bashkëshortja e aktorit Genti Kame, Jolen ka qenë me titull “Konteshë”. Ajo hoqi dorë nga titulli i saj pasi u martua me një djalë pa titull dhe të dy lanë pas Parisin e kanë 4 vite që jetojnë në Ibë, në mes të natyrës e me disa kafshë e zogj. Pra, mbresëlënëse zgjedhja e tyre, e cila të frymëzon dhe të bën të kuptosh se një stil të bukur jetese mund ta kesh edhe me më pak. Kudo ku ti vendos të jetosh!
Gjen gjurmë të traditës ende, apo gjithçka është moderne sot?
Pasioni është i pakohë. Megjithatë, të rinjtë që kam takuar shoh se e vlerësojnë shumë traditën e madje e çojnë në një nivel tjetër. E paketojnë aq bukur saqë duket si moderne.


Loading...