‘Veteranët e rrejshëm’ pengesë për rritjen e pagës minimale në Kosovë

  • March 20, 2019 13:00
  • Lajme

Paga minimale në Kosovë për personat që janë nën moshën 35 vjeçare lejohet të jetë 130 euro, ndërsa për ata me moshë mbi 35 vjeç nuk lejohet të jetë më pak se 170 euro.

E kryeministri i Kosovës, Rmush Haradinaj ditë më parë nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se rritja e pagës minimale në Kosovë është veprim i domosdoshëm për mirëqenien e qytetarëve.

Këshilli Ekonomik Social ka rekomanduar rritjen e pagës minimale e cila për herë të fundit është rritur në vitin 2011.

Por sa mund të ndodh kjo?

Lajmi.net ka kontaktuar me zëvendësministrin e Financave, Fatmir Gashi i cili ka shpjeguar pse një gjë e tillë nuk mund të ndodh tani.

Gashi për lajmi.net ka thënë se derisa nuk klasifikohet lista e veteranëve, të cilët paguhen sipas pagës minimale, rritja e pagës minimale mund të ketë impakte buxhetore.

“Ministria e Financave nuk e kundërshton rritjen e pagës minimale, por derisa nuk klasifikohet lista e veteranëve sipas ligjit mbi veteranët, paguhen sipas pagës minimale dhe derisa nuk kryhet kjo, ka impakte buxhetore dhe për këtë arsye është e pamundur për ministrinë që në këtë moment të dakordohet për të bërë ndryshime në ndarjen buxhetore”, është shprehur Gashi për lajmi.net.

Gashi ka shpjeguar për lajmi.net se po të ndodhte klasifikimi i veteranëve, rritja e pagës minimale nuk do të ndikonte në buxhetin e Kosovës.

“Derisa nuk bëhet klasifikimi i veteranëve, atëherë ata paguhen në bazë të pagës minimale, në qoftë se kryhet ky klasifikim, atëherë rritja e pagës minimale nuk ndikon në buxhet, ne jemi pro”, tha Gashi më tutje.

Gashi po ashtu ka potencuar se me klasifikimin e veteranëve që është kërkesë edhe e institucioneve ndërkombëtare, atëherë hapet rruga për rritjen e pagës minimale.

“Askush nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por është e lidhur me këtë çështje dhe ne po kërkojmë të zgjidhet ky problem dhe është kërkesë e krejt institucioneve ndërkombëtare, atëherë hapet rruga për rritjen e pagës minimale”, tha në fund Gashi.

Vlen të theksohet fakti se Kosova është vendi me pagën minimale më të ulët në rajon duke marrë parasysh Slloveninë ku paga minimale është 805 euro, në Kroaci 433 euro, Mal të Zi 288 euro, në Serbi 250 euro dhe në Shqipëri 155 euro.

Gjithashtu Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar patën kërkuar nga institucionet e Kosovës, klasifikimin e veteranëve të luftës.

Një gjë e tillë ishte mirëpritur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës duke thënë se kjo do të ndikonte pozitivisht në buxhetin e Kosovës.

The post ‘Veteranët e rrejshëm’ pengesë për rritjen e pagës minimale në Kosovë appeared first on .

Loading...