Të rinjtë serbë të interesuar për t’u bërë pjesëtarë të FSK-së

  • November 09, 2018 18:30
  • Lajme

Mbi 300 kërkesa deri më tani kanë qenë nga komuniteti serb për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas kryetarit të komisionit për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të Forcave të Sigurisë së Kosovës të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, pavarësisht presionit të Beogradit që edhe ushtarët e tanishëm ta lënë FSK-në, ka pasur numër të madh të kërkesave për t’u bërë pjesë e saj.

Në Qendrën Mediale në Çagllavicë, është mbajtur një debat publik për pakon e projektligjit për Forcat e Sigurisë së Kosovës, me pjesëtarët e komunitetit joshqiptar.

Kryetari i komisionit për punë të brendshme, Haxhi Shala, tha se ka pasur kërkesa të shumta  nga komuniteti serb që të bëhen pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

“Ka kërkesa të shumta të rinisë nga komuniteti serb që të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me të kaluar ligjet e FSK-së në vitin 2019 do të ketë edhe kampanja të tjera. Ka jashtëzakonisht shumë të interesuar që të jenë pjesë e komunitetit serb. Ata të cilët nuk kanë mundur të përballojnë presionin nga politikat e dikujt, ata kanë liru, por jo me fajin e tyre, nuk i fajësojmë, do të këqyrim çka do të bëhet në këtë rast Forca e Sigurisë së Kosovës lidhur me këta, ku ata i kanë disa rregullore të cilat, ndoshta nuk do të mund t’i kthejnë, do të mund edhe t’i humbin ato, të cilat i kanë pasur deri sot. Por, kjo mbetet të diskutohet edhe një herë në Ministrinë e FSK-së”, tha  Shala.

Mes tjerash, Shala tha se pakoja e re ligjore për FSK-në është për mbrojtje të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën.

Në këtë debat publik, pjesëmarrës ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili tha se ligjet e miratuara janë shumë të rëndësishme. Ai serbëve të pranishëm u tha se Lista Serbe nuk është përfaqësimi i duhur për ta, duke shtuar se ata nuk po marrin pjesë në procedimin e ligjeve.

“Përfaqësuesit e juaj në Parlamentin e Kosovës, nuk po e bëjnë punën e duhur, sepse ata nuk po marrin pjesë në procedimin e këtyre ligjeve dhe ky është një gabim i madh. Një gabim i cili pasojat e para direkte i ka, tek komuniteti që ata përfaqësojnë. Ne nuk jemi që t’i zëvendësojmë ata sot këtu, por jemi si komision parlamentar që të japim kontributin tonë për të diskutuar me ju, siç me gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për të pasur një dëgjim publik, nga i cili ne do të marrim të gjitha sugjerimet e juaja, do të marrim vërejtjet e juaja, do të shohim përkushtimin dhe angazhimin tuaj që Forca e Sigurisë së Kosovës të arrij mandatin e saj sic e ka përshkruar edhe në Kushtetutë edhe në ligj”, ka shtuar Selimi.

Kryetari i komisionit për punë të brendshme, Fatmir Xhelili ka motivuar të pranishmit që të bëhen pjesë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, duke shtuar se FSK përveç që do të mbrojë qytetarët, nëse do të jetë nevoja do të mbrojë edhe integritetin territorial.

“Është një proces i cili parashihet të zgjas 10 vite. Nuk do të ndodh në një moment të veprojnë si Forca të Sigurisë, kemi nevojë për edukim, trajnime të reja të tyre. Unë mendoj që këto ligje do të mundësojmë edhe forcave tona të jetë institucion i cili është i paraparë, mos të dhasht Zoti nëse është e nevojshme ta përdor forcën për mbrojtje edhe sigurimin e të gjithave komunitetet, të gjithë qytetarëve, të pronës së tyre edhe të integritetit tonë”, tha Xhelili.

Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës ditë më parë, janë miratuar në lexim të parë, pako me tre projektligje që parashohin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Republikës së Kosovës./KP

Loading...