Studentët në Pejë bëjnë hulumtim për liberalizimin e vizave, dalin me rezultate (Video)

  • December 06, 2018 20:00
  • Lajme

32 për qind e nxënësve dhe studentëve në Pejë thonë se pas liberalizimit të vizave do të shkonin të kërkonin punë në zonën e Shengen-it.

Të rinjtë e shkollave të mesme në Pejë nuk kanë shumë njohuri për të drejtat dhe detyrimet që vijnë pas liberalizimit të vizave.

Kjo është vërejtur pas një hulumtimi që studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, kanë bërë me student dhe nxënës të Komunës së Pejës.

Fisnik Shala, pjesëmarrës në këtë hulumtim ka thënë se një pjesë e madhe e studentëve dëshirojnë të punësohen jashtë vendit, pasi të liberalizohen vizat.

“Fatkeqësisht, nuk kanë njohuri as studentët as nxënësit. Me hulumtimin që ne kemi bërë, kemi parashtruar dy pyetje. Kur të ndodhë liberalizimi i vizave ku mendojnë të shkojnë ata, të shkojnë vizitë turistike, familjare apo do të shkojnë për t’u punësuar. Fatkeqësisht 32% e tyre prej tyre janë shprehur se do të shkonin për të punuar, që është jashtë rregullave të Shengen-it”, tregon për RTV Dukagjinin, hulumtuesi Fisnik Shala.

Me këtë rast është organizuar një konferencë shkencore me temën “Procesi i liberalizimit të vizave, të drejtat dhe detyrimet”, në bashkëpunim më Drejtorinë për Integrime dhe Diasporë.

Drejtoresha e këtij dikasteri, Suzana Muriqi ka thënë se konferenca të tilla do të përkrahen gjithmonë.

“Po tjetër që do të ofrojmë mbështetje, sepse me këtë fushatë që kemi filluar e kemi parë që është shumë e nevojshme të njoftohen të rinjtë për të drejtat dhe detyrimet pas procesit të liberalizimit të vizave”, thotë Suzana Muriqi, përcjell Telegrafi.

Profesor Muhamet Sadiku ka thënë se për iniciativa të tilla duhet të marrin shembull edhe komunat e tjera.

“Unë besoj se komunat tjera duhet të marrin mësime. Kjo iniciativë vetëm se e shton komunikimin mes qendrës dhe komunave. Vetë procesi i integrimeve nuk ndodhë nga qendra”, thotë profesori Muhamet Sadiku.

Sipas hartuesve të projektit, hulumtimi ka zgjatur më shumë se një muaj./Telegrafi/

Loading...