Strehimoret gjermane të qenve e ndalojnë adoptimin e tyre vetëm për Krishtlindje

  • December 11, 2018 12:31
  • Lajme

Në strehimoren e Berlinit, e cila është më e madhja e këtij lloji në Evropë, kanë thënë se qentë janë qenie të gjalla me nevoja dhe ndjenja dhe se ata nuk janë të përshtatshëm për t’u dhënë si dhurata befasuese. Sipas përkrahësve të kësaj ndalese, problemi është se shumë njerëz vendosin që ta marrin një qen në minutën e fundit.

“Vendimi për ta marrë një qen nuk duhet të merret aq lehtë. E tërë familja duhet të jetë e përfshirë në marrjen e këtij vendimi”, thotë Claudia Hammerling, anëtare e asociacionit për mbrojtje të kafshëve. Strehimorja do të jetë e hapur për vizitorë, por familjet duhet të presin deri në janar për ta marrë një qen, pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar vendimin.

Rreth 500 qenë gjenden në strehimoren e Bremenit, por asnjëri prej tyre nuk do të dhurohet nga data 18 dhjetor. Një zëdhënëse e strehimores ka thënë se ky vendim e zvogëlon numrin e kafshëve të padëshiruara, të cilat familjet i kthejnë në strehimore pas përfundimit të festave, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Loading...