Reagon PSD, pas akuzave të Vetëvendosjes për vjedhjen e drurëve të cilat ishin për familjet në nevojë

  • December 10, 2018 17:32
  • Lajme

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i ka quajtur të pa baza akuzat e Vetëvendosjes, që disa punëtorë të punësuar nga Partia Socialdemokrate në “Hortikulturë”, kanë vjedhur një pjesë të drurëve, të cilat ishin të ndara për familjet në nevojë.

Për Gazeta Blic, Tahiri tha që Vetëvendosje këtë e ka bërë vetëm sa për tu shfaqur në media edhe gjatë të dielave.

“Grumbull fjalësh e fjalish, pa bazë dhe pa kuptim, sa për të dërguar diçka në media edhe të dielën”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket shpërndarjes së drurëve, Tahiri thotë që Vetëvendosje ka mjaft punëtor në hortikulturë dhe që ata kanë qenë të informuar se në javën e ardhme drurët ndahen për familjet me raste sociale.

“VV ka mjaft punëtorë të vet në hortikulturë. Ata i kanë treguar se javën tjetër shpërndahen drurët tek familjet me raste sociale. Kësisoj, e kanë shfrytëzuar këtë të dile për spektaklin e radhës medial, ashtu që kur shpërndajmë ne gjatë javës tjetër të dalin dhe të thonë se “ia kujtuam Komunës”, jemi mësuar me lojërat e tyre politike të pasinqerta”, ka thënë në fund Tahiri.

Loading...