Reagim i Ministrisë së Arsimit ndaj kronikës në T7

  • December 10, 2018 17:31
  • Lajme

Ky është reagimi i plotë:

Me qëllim të sqarimit për opinionin publik, rreth kronikës së transmetuar në televizionin T7 me titull, “NISMA DESHI TË SHKARKONTE MINISTRIN E ARSIMIT”, për korrektësi njoftojmë të gjithë ata që kanë parë kronikën si të tillë, se ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në asnjë moment nuk ka folur siç e paraqet gazetari i televizionit në fjalë.

Ne konsiderojmë se e gjithë kronika është devijuar nga thelbi i deklaratës së ministrit dhënë për televizionin T7. Në veçanti, duhet të cekim dy nga momentet ku gazetari i T7, e keqorienton skajshmërisht deklaratën e ministrit Bytyqi.

1.         Fillimisht, gazetari në një moment deklaratën e ministrit Bytyqi e komenton kinse ka ndërruar mendjen në lidhje me cilësinë e kolegjeve private, duke thënë se tashmë ministri ka lavdëruar cilësinë në këto kolegje, por e vërteta është se ministri Bytyqi ka lavdëruar vetëm mekanizmat që MAShT ka ndërtuar për të përmirësuar cilësinë në Institucionet e Arsimit të Lartë.

2.         Gjithashtu, edhe në një moment tjetër, gazetari në fjalë deklaratën e ministrit e komenton krejtësisht në mënyrë joreale, pikërisht në momentin kur ministri Bytyqi thotë se nuk është në dijeni për ndonjë kërkesë zyrtare për shkarkim, ndërsa gazetari i T7 e komenton kinse ministri Bytyqi e pranon që ka pasur kërkesë për shkarkim.

Për faktin se kronika si e tërë ka nuanca që të dezinformojë qytetarët dhe përmban komente të cilat ministri Bytyqi nuk i ka folur për televizionin, dhe me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, kërkojmë nga televizionin T7, që ta publikojë këtë reagim, të nxjerrë gjithë intervistën e plotë dhe të largojë kronikën në fjalë nga faqja e Gazetës Express, kanali i T7 në YouTube dhe nga të gjitha rrjetet sociale të televizionit dhe gazetës.

Loading...