Pacolli përshëndet qëndrimin e ministrit slloven për pavarësinë e Kosovës: Serbisë i është thyer busulla

  • March 20, 2019 14:32
  • Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka përshëndetur deklarimet e homologut të tij slloven, Miro Cerar, i cili ka thënë se Sllovenia nuk ka ndërmend ta tërheq njohjen për pavarësinë e Kosovës.

Pacolli thotë se Kosova ka orientim të qartë drejt Evropës, ndërsa sipas tij Serbisë i ka humbur orientimi.

“Mirëpres qëndrimin e ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar, për raportet e forta ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

Serbia vërtet duhet të ndalet duke e luftuar Kosovën, dhe të fokusojë veten në demokratizim dhe europianizim. Kosova ka orientim të qartë, ndërsa Serbisë i është thyer busulla”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij ne tëitter, raporton Gazeta Express.

Sot Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Miro Cerar, ka thënë se Sllovenia nuk ka ndërmend ta heqë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke demantuar kështu raportimet e mediave serbe.

Në pyetjen nëse qeveria sllovene do të heqë dorë nga njohja e Kosovës, pyetje të cilën ia parashtroi në seancën parlamentare kryesuesi i Partisë Nacionale Sllovene, Zmago Jelinçiq, shefi i diplomacisë sllovene tha se qëllime të këtilla nuk ekzistojnë.

“Mendoj se kemi pasur bazë që Kosovën e kemi njohur si shtet”, ka thënë Cerar, dhe ka shtuar se Sllovenia është e vetëdijshme që në këtë hapësirë megjithatë ekzistojnë “disa çështje të hapura”, transmeton agjencia kroate e lajmeve “Hina”./GazetaExpress/

The post Pacolli përshëndet qëndrimin e ministrit slloven për pavarësinë e Kosovës: Serbisë i është thyer busulla appeared first on .

Loading...