Kundërshtohet parapagimi prej 2.5 eurosh për RTK-në

  • October 11, 2018 16:00
  • Lajme

Gazeta Express ka biseduar me palët që e përkrahin dhe kundërshtojnë këtë ide, në vijim të tekstit mund të lexoni detaje dhe qëndrime nga personat kompetentë se pse qytetarët duhet ta paguajnë taksën dhe pse dikush tjetër e sheh si plaçkë.

Transmetuesi i vetëm publik që momentalisht financohet nga buxheti i shtetit, tash e një kohë përballet me probleme të ndryshme. Drejtori i saj, Mentor Shala, në një prononcim për Gazetën Express thotë se ky parapagim do t’ia mundësonte RTK-së e financimin, pavarësinë editoriale dhe shkëputjen ndaj presionit.

“Sa i përket Kosovës është forma e vetme që mundet me u bo parapagimi ne kemi hulumtu edhe forma të tjera, por me propozimin e ri është e paraparë që një familje kosovare të paguajë 2.50 euro. Është vlerë e vogël që mendoj se e siguron stabilitetin financiar. E përkrahim këtë iniciativë se e siguron stabilitetin financiar po edhe e fuqizon edhe më shumë pavarësinë editoriale”, tha Shala.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Nait Hasani, thotë se një formë e tillë e parapagimit për transmetuesit publikë aplikohet në vendet e BE-së, dhe e njejta duhet të praktikohet edhe në Kosovë.

“Na e kemi përcjell për lexim të parë Ligjin në Kuvend. Modelet e tilla bëhen për shkak të transparencës për shkak të shikueshmërisë për shkak të publikut dhe për shkak që mungon pavarësia e plotë edhe editoriale edhe financiare. Si komision jemi dakordu që si vend i rajonit Sllovenia të merret si model, që mos me shku në ekstremin e Gjermanisë”, tha Naiti për Gazetën Express.

E gjithë kjo nismë po shihet si plaçkë nga kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ai thotë se kjo pagesë që me TVSH arrinë shumën prej 3 eurosh është hajni dhe kontabandë. Madje thotë se askush nga iniciatorët e idesë nuk po e përkrah konsumatorin.

“Organizata “Konsumatori” dhe unë ka vite e vite që po merremi me këtë çështje, kjo pagesa 3 euro është kontabandë dhe hajni që dikush po pretendon mi bo mirë RTK-së por po na vjedhë neve. Nuk jemi kundër RTK-së por kundër mashtrimeve dhe hajnive. Askush nuk po e përfaqëson konsumatorin, na kanë bë me dije që nuk na duan aty dojnë me na pre këmishën qysh dojnë ata vetë jo qysh na bjen neve taman”, tha Kaçaniku për Gazetën Express.

Mendim të ngjashëm si të Kaçanikut ka edhe qytetari me inicialet A.G. Ai tha për Express se RTK nuk ofron asgjë për shikuesit dhe kjo është arsyeja që ky qytetar tash e një kohë nuk e shikon televizionin publik.

"Pse duhet me pagu për një produkt që nuk e konsumoj?! Unë më vite nuk e shoh RTK-në dhe nuk ka kurrfarë arsye që unë me pagu për këtë televizion i ciili nuk ofron asgjë për shikuesit”, u shpreh A.G.

Tutje, Drejtori i RTK-së, Mentor Shala, thotë se me aplikimin e parapagimit do të shtohet llogaridhënia për publikun.

“Qyteratët i paguajnë nga 25 euro e më shumë kompanive private kabllore a për RTK-në do t’i pagujnë 2.50 euro. Nuk besoj që do të ketë reagime kundër. Dhe sigurisht do të binden qytertarët që është formë më e mire dhe do të shtohet llogaridhënia se kemi të bëjmë punë direkt me qytetarët dhe publikun”, tha Shala.

Ndërkohë, Nait Hasani mendon se ky Projektligj është i mirë që siguron transparencën, pavarësinë editoriale, financiare dhe nuk ka më ndikime politike.

“Na jemi vend që nuk dojna me pagu kurgjo, i vendi vend që nuk dojm me bo pagesa. Dojm veç me marrë mos me pagu. Në BE është parimi që cdo shërbim paguhet”, përfundoi ai.

Më tej, Shala shtoi se për këtë çështje do të bëhet  edhe një hulumtim publik ku do të pyeten edhe qytetarët.

Nga viti 2010 financimi i RTK-së bëhet direkt nga buxheti i shtetit. Më parë është bërë përmes arkëtimit nga pagesa e faturave të rrymës. Për një periudhë të gjatë kohore qytetarët kanë paguar shumën prej 3.50 euro në muaj për RTK-në deri sa një vendim i Gjykatës Kushtuese ndaloi një praktikë të tillë pasi u pa si shkelje kushtetuese.

Këshilli për Mbrotjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut kohë më parë kishte reaguar kundër parapagimit të RTK duke thënë se ky televizion publik “nuk menaxhohet si duhet , ka mbipopullim të madh të të punësuarve kryesisht në baza politike dhe nepotiste ku joprofesionalizmi e ka ngulfatë profesionalizmin andaj programet që emitohen në këtë medium publik nuk janë konkuruese me programet e televizoneve tjera .

“RTK duhet të nxirret nga ndikimi 100% i politikës , duhet të krijojë hapësirë për profesionistë të fushave të ndryshme sikur edhe të ulë numrin e të punësuarve , në përputhje me nevojat reale për këtë medium publik. RTK duhet të jetë medium që do të sigurojë mjete financiare duke shitur prodhimet e saj ne tregun e mediave dhe jo të japë mjete të panevojshme për blerje te lajmeve , informatave apo filmave që u ka kaluar arsyeshmëria e përdorimit e të cilat aspak nuk e rrisin shikueshmërinë apo që bëjnë përmirësime cilësore të programeve. Dhe që janë me çmime shumë të larta’ thuhej në reagimin e KMDLNJ’së. /Gazeta Express

Loading...