Komuna e Gjakovës subvencionon me një lopë familjen e Drejtorit të Krimeve Ekonomike

  • December 06, 2018 17:00
  • Lajme

Ftesës publike së Komunës së Gjakovës e OZHR “Mëshqerra” për ndarje të 30 lopëve për fermerë iu është përgjigjur edhe familja e Emin Hoxhës që jeton në fshatin Cermjan të kësaj komune, që mban postin e Drejtorit të Krimeve Ekonomike të policisë në këtë komunë.

Megjithëse merr një pagë të mira nga pozita që mban në polici, pas kësaj ftese, familja e tij u shpërblye nga komuna e Gjakovës duke figuruar edhe të dytët në listën e personave që fituan subvencion.

Lista e personave qe fituan subvencion

Për këtë Gazeta Express ka kontaktuar vetë Drejtorin e Krimeve Ekonomike në polici, e i njëjti ka konfirmuar se kanë marrë lopën, por, duke dhënë edhe një arsyetim.

Hoxhaj është shprehur se për këtë ka aplikuar babai i tij, Lah Hoxhaj.

“Baba ka apliku edhe në emër të tij është fituar subvencioni, jo në emër timin, ndoshta është më mirë me e pytë atë se sa mua, ai e dinë më mirë. E di që ka apliku edhe herë të tjera, mirëpo, kjo është hera e parë që ka marrë diçka”, ka thënë ai.

Kjo, pohon Hoxhaj, nuk beson se është diçka që bie ndesh me ligjin, duke shtuar se kryen tash e sa vite ndershmërisht detyrën e tij që ka në polici.

Shtepia e familjes Hoxhaj- Fshati Cermjan

Bëhet fjalë për “30 krerë të Mëshqerrave barrëse të racës Hollshtajn-Frizis (për 30 familje), si dhe impute të tjera bazike blegtorale - bujqësore dhe trajnime të nevojshme për këta fermerë.”

Burime të Gazetës Express thonë se Hoxhaj ka kushte të mira financiare e figuron në krye të listës edhe pse për këtë pati edhe shumë raste me kushte të këqija ekonomike që nuk u subvencionuan.

Megjithëse nga zyra e drejtorit për Bujqësi në Komunë të Gjakovës vetëm konfirmuan se janë ndarë subvencionet, listën e plotë dhe ftesën publike për Express e bënë të ditur nga zyra për komunikim në këtë komunë, por, që të njëjtët nuk dhanë ndonjë arsye se si janë përcaktuar emrat e përfituesve.

Ndërkaq, në pasaportën e gjedhit shihet se babai i Eminit, Lahu është i treti person që e ka marrë në shfrytëzim këtë lopë për tre vite. Të njëjtën do ta ketë në shfrytëzim për një vit.

Ndërkaq, Lah Hoxhaj tashmë ka një fermë me katër lopë./A.K/Express

Loading...