Kjo është Kate Marie Byrnes, e nominuara për ambasadore të SHBA-ve në Shkup

  • November 09, 2018 11:00
  • Lajme

Kate Marie Byrnes do të jetë ambasadorja e re e SHBA-së në Maqedoni. Nominimi i saj nga ana e presidentit Donald Trump do të duhet të konfirmohet nga Senati i SHBA-së.

Në nominimin theksohet se Byrnes është diplomat karriere, veteranë me përvojë 24 vjeçare. Deri tani ka punuar si këshilltarë për marrëdhënie me opinioni në Ambasadën e SHBA-së në Madrid-Spanjë, ish përfaqësues civil në Departamentin e Shtetit në grupin operativ Baston/Broniko në aeroportin Xhalalabad-Afganistan dhe këshilltar për marrëdhënie me opinionin në Misionin e SHBA-së në NATO.

Byrnes ka magjistruar në Universitetin “George Town” në Uashington. Ajo flet gjuhën spanjolle, hungareze dhe turke, përcjell Shenja.

Nga shtatori 2017 punon në pozitën zëvendës-ambasadore në Ambasadën e SHBA-së në Athinë.
Një detaj nga biografia profesionale tregon se ardhja e saj në Maqedoni mund të jetë befasi vetëm për ata që nuk i ndjekin zhvillimet politike në vend nga Përzhino deri tani.

Pikërisht Byrnes është kyçur në mënyrë aktive në shprehjen e qëndrimeve amerikane dy vitet e kaluara- nga Marrëveshja e Përzhinos, PSP, kriza politike e shkaktuar nga Ivanov për të mos i dhënë mandatin Zaevit deri tek ngjarjet e 27 prillit.

Kate Marie Byrnes ishte zëvendës shef i misionit të SHBA-së në OSBE. Pikërisht nga Vjena, në disa raste, ka transmetuar qëndrimin e administratës amerikanë në kontekst të krizës politike.

“SHBA nga afër i ndjek ngjarjet në Maqedoni. Zbulimet e vitit të kaluar, në incizimet e siguruara nga përgjimet ilegale, hapën dyshime për manipulime të mundshme zgjedhore, manipulime në media dhe korrupsion duke sugjeruar mos sukses në përmbushjen e obligimeve të OSBE-së”, kishte deklaruar Byrnes në shkurt 2016 duke folur për krizën politike në Maqedoni.

Duke ju drejtuar pushtetit të asokohe të OBRM-PDUKM-së ajo ka rikujtuar se ata nuk i kanë përmbushur obligimet e Marrëveshjes së Përzhinos, posaçërisht tregon se ata duhet ta përkrahin PSP-në.

“Deklaratat e një partie politike, OBRM-PDUKM dhe liderët e saj të cilët e sulmojnë punën e PSP janë edhe një burim shqetësimi. Ne i bëjmë thirrje të gjithë partitë politike që publikisht të përkrahin punën e Prokurorisë Speciale Publike në të gjitha fazat e saj” ka deklaruar më parë Byrnes.

Në mars 2017, Misioni i SHBA-së në OSBE ka lëshuar kritika të ashpra deri tek presidenti Ivanov i cili refuzonte që t’ia jep mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

“SHBA-të janë dëshpëruar që presidenti Ivanov refuzon të jep mundësi të formohet qeveria e re përfaqësuesve të cilët kanë shumicë të qartë parlamentare. Ne vlerësojmë se ky vendim nuk është në përputhje me përpjekjet e OSBE-së, principet themelore të demokracisë dhe sundimit të drejtësisë që janë vlera themelore të kësaj organizate”, thuhet në mesazhin e Byrnes.

Byrnes ka dënuar ashpër edhe zhvillimet në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017.

“Dënojmë fuqishëm sulmet në Kuvend mbi deputetët të cilët ndodhën pas përzgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar. Do të punojmë me të dhe me Kuvendin që të përkrahim demokracinë dhe t’i ndihmojmë Maqedonisë të ec përpara në rrugën evropiane”, kishte deklaruar atë kohë Byrnes.

Disa muaj më vonë në shtator 2017 Byrnes vjen në Athinë ku ende po e kryen funksionin zv.ambasador të SHBA-së në Greqi.

Nëse nominimi i Trumpit e kalon komisionin e Senatit për punë të jashtme, Kate Byrnes, do të duhet të filloj mandatin e saj si ambasadore në Shkup në fund të janarit 2019.

Loading...