Ish-ambasadori Peci: Ekipi Negociator është kthyer në oborrtarë të Thaçit

  • January 12, 2019 16:00
  • Lajme

Presidenti Hashim Thaçi, akoma nuk ka dorëzuar asnjë dokument Ekipit Negociator, lidhur me atë se çka ka biseduar me Serbinë deri në këtë fazë.

Për këtë, ka folur ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Pecit, i cili ka thënë se mbajta e delegacionit të painformuar nga Presidenti Thaçi tregon se ata janë kthyer në oborrtarë.

“Mos-dorëzimi i dokumenteve Ekipit Negociator nga ana e Presidencës është sinjal i qarte se ky ekip është duke u shndërruar ne “oborrtare” te Presidencës, dhe se atributi “shtetëror” po tregohet se është farse”, ka shkruar Peci në Facebook, përcjell Telegrafi.

Peci thotë se po hapen gropa dhe shumë lehtë mund të shkohet deri te “varrimi i shtetësisë”.

“Rruge te vështirë kemi para vetit, dhe atë plote me gropa, që po duket se shumë me tepër do t’i bëjmë ne vetes, se sa që do na i bëjnë te tjerët. Me këtë lloj qasje të “gropë hapjes” mundet shumë lehtë edhe t’ia hapim varrim shtetësisë se Kosovës. Për këtë arsye, kemi obligim të  gjithë, si politika, ashtu edhe mediat dhe shoqëria civile, të japim maksimumin tonë që mos të lejojmë që para syve tanë të na shkatërrohet e ardhmja e jonë dhe brezave që do vijnë pas neve”, ka shkruar ish-ambasadori.

Ekipi i dialogut, i formuar nga rezoluta e votuar në Kuvend më 15 dhjetor, përbëhet nga Avni Arifi, Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Mahir Jagcilar, Dardan Gashi, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani.

Ymeri dhe Gorani nga PSD-ja plotësojnë vendet e zbrazëta të LDK-së dhe Vetëvendosjes, që refuzojnë këtë ekip.

Loading...