Gjithçka që ndodhi në seancën e “Syrit të Popullit”: Skandale dhe tensione nga “mshele gojën” deri te citimi i Ibrahim Rugovës

  • December 10, 2018 17:31
  • Lajme

Gazeta Express ka përcjellë të hënën seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për rastin e organizatës terroriste “Syri i Popullit”, të cilët që nga 15 maji i vitit 2015, kishin planifikuar ekzekutimin e shumë liderëve shtetërorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Si qëllim i këtyre planeve ishte hakmarrja ndaj këtyre figurave që u cilësuan nga organizata si “tradhtarë”.

Në cilësinë e dëshmitarëve ishin dashur të dëshmojnë sot edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi. Por, asnjëri nga këta nuk ishin prezentë, derisa, dëshmi dhanë kandidatët për ekzekutim nga organizata, Adem Grabovci, ish-këshilltar special i Ibrahim Rugovës, Ramë Maraj dhe deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica.

Në këtë seancë, u dëgjuan edhe dëshmi të cilat nuk ishin publikuar më parë në media rreth këtij rasti. Por, pavarësisht kësaj, sjelljet e avokatëve mbrojtës ishin pa teklif.

Fillimisht, avokatja Fehmie Gashi Bytyqi, që në këtë rast e mbron Murat Jasharin, e bëri atë që nuk bëhet në gjykatë: tregoi dëshminë e një dëshmitari paraprak, dëshmitarit të dytë. Për këtë, iu tërhoq vërejtja nga gjyqtarja, por nuk u morën masa të mëtutjeshme.

Dëshmitari i parë i këtij rasti ishte Ramë Maraj, i cili tregoi se me të akuzuarin Murat Jashari nuk ka kontaktuar asnjëherë, por disa herë ka vërejtur në shkrime online se i është përmendur emri nga ai.


Maraj, meqë ishte njëri nga emrat në listën e ekzekutimeve të kësaj organizate, tha se emri i tij mund të ketë përfunduar aty pas disa shkrimeve të gazetave serbe dhe vendore kosovare që ai është në krye të shërbimit “SIA”, shërbim sekret me degë në Kosovë.

Ai madje tha se shpesh ka kërkuar nga mediat që të mos publikohet një gjë e tillë, pasi që nuk është e vërtetë, por edhe kishte dërguar demante, të cilat tha se nuk u publikuan kurrë.

I pyetur nga avokatja Fehmie Gashi Bytyqi, se a ka dhënë dëshmi në polici ose në prokurori paraprakisht, Maraj u përgjigj fillimisht se nuk është thirrur asnjëherë nga policia.

Kjo bëri që avokatja e Murat Jasharit të insistojë ta dijë se pse Ramë Maraj nuk paska dëshmuar asnjëherë, deri sot në Gjykatë, edhe pse ajo pati në dorë dëshminë e tij të dhënë më 27 prill të vitit 2017 në polici.

“Nënshkrimi i këtij dokumenti është i imi, në këtë dhënie të dëshmisë, por mu policia nuk më ka thirr kurrë”, tha fillimisht Maraj.

Por, më pas, u sqarua se policia nuk e ka thirrur për dëshmi, por kanë shkuar tek ai për të marrë dëshminë. Madje, ai tha se policia i kishin thënë që të mos i tregojë askujt lidhur me atë dëshmi.

“Ka mundur të ndodhë që ata kanë ardh të unë dhe është dhënë kjo dëshmi e imja....Policia më kanë tërheq vërejtjen që mos të flas për këtë dëshmi, se ata kanë qenë tek unë, andaj edhe e mohova që kam dhënë dëshmi më herët”, u sqarua Maraj para trupit gjykues.

Për po këtë pjesë, kur i erdhi radha Adem Grabovcit të dëshmojë, pas Marajt, avokatja ia bën të njëjtën pyetje edhe Grabovcit.


A jeni ftuar në polici për këtë rast, a keni dhënë deklaratë? Ishte pyetja e avokates ndaj Grabovcit.

“Më duket se kam dhënë një deklaratë”, tha ai, derisa avokatja e Murat Jasharit insistoi ta dijë vendin se ku e ka dhënë dëshminë Adem Grabovci.

Duke mos iu kujtuar vendi, anëtarit të PDK-së, që sot ishte dëshmitar, iu tregua përgjigja e dëshmitarit të paraprak, Ramë Marajt.

“Dëshmitari i parë tha se policia ka shku te ai me i marrë deklaratë, andaj po ju pyes juve, ku e keni dhënë deklaratën ju”, e pyeti avokatja Adem Grabovcin, e këtu mori edhe vërejtje nga kryetarja e trupit gjykues.

Ky skandal kaloi pa vërejtshim sepse avokatja vazhdoi t’i parashtronte pyetje të tjera dëshmitarit Grabovci.

Pa kaluar shumë minuta, ndodhi edhe një skandal tjetër.

Prokurori i shtetit Sylë Hoxha në fjalën e tij tha se nuk duhet të bëhen pyetje manipulative, që sipas tij i bënin avokatët e të akuzuarve. Këtu reagoi avokati i Sadri Ramabajës, Ramiz Krasniqi, pa iu dhënë fjala nga trupi gjykues dhe tha se pyetjet nuk janë të natyrës manipulative.

Një përplasje e shkurtë e fjalëve shpërtheu në dimension tjetër.

“Mshele gojën” i tha prokurori Hoxha avokatit Krasniqi, dhe i njëjti nuk hezitoi të ia kthente me po të njëjtën fjali “mshele edhe ti gojën”.

Pak minuta më vonë, trupi gjykues morën aktvendim për t’iu tërhequr vërejtja me shkrim avokatit Ramiz Kranisiqi për pengim në procedurë.

Po i njëjti avokat, në momentin kur Ramë Maraj dha dëshmi, e bëri një pyetje interesante.

Derisa, dëshmitari Maraj fliste për shkrimet e mediave që kishin thënë se ai ishte kryesori i shërbimit sekret të Serbisë në Kosovë, dhe se kishte tentuar disa herë që ta dinte arsyen e këtyre shkrimeve që sipas tij ishin shpifje, citoi edhe ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën.

“Rugova ka thanë: Nuk preferoj të merrem me ata që dojnë me u marrë me mua. Atë kohë dua t’ua kushtoj popullit tim”, e citoi Maraj Rugovën, e kështu duke u mbështetur në këtë fjali, ai dha përgjigje se pse nuk e ka iniciuar këto raste të “shpifjes” deri në Gjykatë.

E pyetja që pasoi e avokatit të Sadri Ramabajës, ndaj dëshmitarit Ramë Maraj, la në shok të pranishmit në seancë gjyqësore, përfshirë trupin gjykues.


“A mendoni se keni diçka të përbashkët me Ibrahim Rugovën?”, pyeti avokati, por nuk mori përgjigje. Kjo pyetje u refuzua nga ana e trupit gjykues, pasi nuk shihej si e nevojshme për këtë rast.

E “shefi i shefave”, Adem Grabovci, tregoi për lidhjet që i kishte para luftës së Kosovës me Murat Jasharin.

“E njoh Murat Jasharin. E kam njoftu në Zvicër, diku në vitin ‘91 kur kam emigru atje. Atëherë isha kryetar i Lëvizjes Popullore, dega në Zvicër, e Murat Jashari ka qenë aktivist i Lëvizjes. Atje jemi njoftë, por më pas jam njoftuar edhe me familjen e tij”, tha Grabovci.

Siç Murat Jashari iu kishte parashtruar pyetje liderëve kosovarë para se të burgosej, pyetje ka pasur edhe për Adem Grabovcin.

Lidhur me to, Grabovci tha ato pyetje i kishte injoruar pasi, sipas tij, ishin qesharake dhe të manipuluara.

E pse emri i Adem Grabovcit u gjend në listën e ekzekutimeve të organizatës terroriste që e kryesonte Murat Jashari, me të cilin Grabovci tha se kishte miqësi para luftës, ish-deputeti i PDK-së nuk e dinte arsyen.

“Murati ka parashtru pyetje, por me të thënë të drejtën i kam injoru sepse më janë dukur qesharake dhe më tepër besoj se ka qenë i manipuluar sesa që ka pas të bëjë diçka me mua”, tha Grabovci.

Për organizatën “Syri i Popullit” Grabovci tha se kishte dëgjuar shumë vonë, vetëm përmes mediave.

Polemika pati edhe në mes të akuzuarit Sadri Ramabaja me Adem Grabovcin për funksionin dhe veprimtarinë e LPK-së.

Ramabaja tha se brenda LPK-së ka pasur fraksione dhe përplasje, dhe sipas tij, një pjesë e mirë e atyre pyetjeve që Murat Jashari ia parashtroi Grabovcit, kishin të bënin me ato përplasje të asaj periudhe.

Por, Grabovci tha se nuk pajtohet se brenda LPK-së ka pasur fraksione, duke thënë se kanë qenë unik.

“Ne i kemi pas rrolet e ndara në kuadër të LPK-së dhe kemi funksionuar shumë mirë dhe kemi qenë pothuajse një familje. Për këtë arsye edhe thash se me Murat Jasharin kemi pasur marrëdhënie të mira. Kurse për aktivitetin e Ramabajës jashtë vendit kam respekt, por nuk mund të të përgjigjem se pse jeni ju sot si i akuzuar, sepse nuk kam kompetencë”, tha Grabovci.

Por, i akuzuari Ramabaja insistoi të tregonte për fraksionet që ishin në kuadër të LPK-së, duke thënë se këtë e ka faktuar kryetari i saj Bedri Islami.

Mirëpo, këto diskutime për LPK-në i penguan prokurorit të Shtetit Sylë Hoxha, i cili kërkoi nga gjykata që të mos lejohen për shkak se nuk ishin objekt i aktakuzës për rastin e organizatës “Syrit të Popullit”.

Dëshmia e Ilmi Reçicës

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Reçica tregoi diçka që nuk është publikuar më parë në media dhe nuk është dëshmuar më parë nga askush.


Kur u pyet se a e njeh Murat Jasharin, Reçica tregoi se në kohën kur ishte në Zvicër, kishte kuptuar që Jashari kishte qenë i arrestuar nën akuzën për blerje të armëve për UÇK-në.

“Në Zvicër ka qenë i arrestuar për blerje të armëve për UÇK-në dhe atëherë nuk e kam takuar Muratin, por vetëm familjen e tij”, tha Reçica.

E më pas dëshmitari tregoi se kishte kuptuar se Murat Jashari kishte qenë i shtrirë në Spitalin Neuropsikiatrik në Zvicër.

Pse Ilmi Reçica gjendej në listën e ekzekutimeve të organizatës “Syri i Popullit”, ai tha se për këtë kishte dëgjuar kur hetuesit e krimeve të rënda kanë kërkuar nga ai të japë dëshmi.

“Deri atëherë nuk kam ditur asgjë rreth kësaj”, tha Reçica.

Dëshmitarët që ishin thirrur sot të dëshmojnë dhe që nuk ishin prezentë, kishin dërguar arsyetime në Gjykatë për mos praninë e tyre, përveç një dëshmitarit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, në këtë rast dëshmitar, nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij. Xhavit Haliti ishte arsyetuar se gjendjet jashtë vendit në udhëtim zyrtar dhe Hajredin Kuçi e kishte njoftuar Gjykatën me parashkresë se me 10 dhjetor është gjithashtu në udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Seanca e radhës për këtë rast, u caktua më 28 dhjetor, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët e tjerë./M.K/GazetaExpress/

Loading...