Gara për drejtor të RTK-së, a do ta braktisë Baton Haxhiu Klan Kosovën?

  • December 06, 2018 16:00
  • Lajme

Edhe pse Radio Televizioni i Kosovës nuk është më në top formë, siç ka qënë para një dekade, megjithatë gara për drejtor të transmetuesit publik duket që po tërheq prapa vetes emra të njohur të botës së mediave, dhe jo vetëm.

Kështu për shembull, Gazeta Express ka mësuar se për këtë pozicion po lakohet hiç më pak se emri i Baton Haxhiut, aktualisht drejtor i Klan Kosovës dhe emri i Agron Mustafës, ish drejtor i Aeroportit të Prishtinës.

Në një bisedë për Express, Mustafa ka thënë shkurt se nuk ka aplikuar. Kurse Baton Haxhiu ka refuzuar t’i japë përgjigjje mediumit, duke sugjeruar që redaksia ta harrojë numrin e tij.

"Harrojeni këtë numër. Gazeta Express ta harrojë këtë numër", ka thënë preraz Haxhiu. Përkundër kësaj, Gazeta Express, përmes disa burimeve të saj, e ka të konfirmuar se Haxhiu është duke e menduar këtë transfer.

Nuk dihet nëse autori i debatit “Zona B”, Baton Haxhiu, do ta lërë Klan Kosovën për Televizionin Publik. Klan Kosova u themelua në vitin 2009 dhe aktualisht ka mbi 200 punëtorë. Klan Kosova, në zanafillën e vet ishte në pronësi të Klan Shqipërisë, për t'u shitur me vonë te Devolli Corporation.

Lidhur me konkursin në fjalë Gazeta Express ka kontaktuar edhe kryetaren e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqin. Ajo nuk ka dhënë detaje se kush janë kandidatët që po synojnë këtë pozitë, por tha se gjatë javës bordi do t’i shqyrtojë të gjitha aplikacionet.

“Ne fazen qe jemi, meqenese ende nuk eshte mbledhur Bordi, une nuk mund te flas per emrat dhe as per numrin e kandidateve, por ju siguroj se ky do te jete nje proces transparent dhe ne si Bord do te ndjekim te gjithe hapat qe parashihen me aktet ligjore per perzgjedhjen e Drejtorit te ri te Transmetuesit Publik”, tha Maliqi.

“Sipas procedurave ligjore, Bordi do te mblidhet gjate javes se ardhshme dhe do te shqyrtojë listat e kandidateve dhe rrjedhimisht edhe kush i ploteson kushtet dhe kriteret e parapara me konkurs”, tha më tej kryetarja e bordit të RTK-së.

Deri më tani nëpër media janë publikuar disa kandidatë që kanë aplikuar për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, si: Festim Kabashi, Azem Bujupi, Ngadhnjim Kastrati, Ernest Luma, Lorik Arifaj, etj.

Sidoqoftë, nga viti 2010 financimi i RTK-së bëhet direkt nga buxheti i shtetit. Më parë është bërë përmes arkëtimit nga pagesa e faturave të rrymës. Për një periudhë të gjatë kohore qytetarët kanë paguar shumën prej 3.50 euro në muaj për RTK-në deri sa një vendim i Gjykatës Kushtuese ndaloi një praktikë të tillë pasi u pa si shkelje kushtetuese. Së fundmi është tentuar të rikthehet një formë e tillë e financimit por nuk ka arritur të miratohet.

Këshilli për Mbrotjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut kohë më parë kishte reaguar kundër parapagimit të RTK duke thënë se ky televizion publik “nuk menaxhohet si duhet, ka mbipopullim të madh të të punësuarve kryesisht në baza politike dhe nepotiste ku joprofesionalizmi e ka ngulfatur profesionalizmin, andaj programet që jepen në këtë medium publik nuk janë konkuruese me programet e televizoneve tjera.

“RTK duhet të nxirret nga ndikimi 100% i politikës, duhet të krijojë hapësirë për profesionistë të fushave të ndryshme sikur edhe të ulë numrin e të punësuarve , në përputhje me nevojat reale për këtë medium publik. RTK duhet të jetë medium që do të sigurojë mjete financiare duke shitur prodhimet e saj ne tregun e mediave dhe jo të japë mjete të panevojshme për blerje te lajmeve , informatave apo filmave që u ka kaluar arsyeshmëria e përdorimit e të cilat aspak nuk e rrisin shikueshmërinë apo që bëjnë përmirësime cilësore të programeve. Dhe që janë me çmime shumë të larta’ thuhej në reagimin e KMDLNJ’së./Express/

Loading...