Bytyqit fton SBAShK'un të takohet me Komisionin Parlamentar

  • January 12, 2019 16:31
  • Lajme

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka vendosur që këtë  të hënë do të fillojë greva në të gjitha institucionet arsimore në Kosovë.

Ky vendim erdhi si pasojë e pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave. E përfaqësues të kësaj sindikate kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga greva nëse nuk rritet për 30 përqind koeficienti i pagave.

Greva e cila pritet të fillojë të hënën, po konsiderohet se do të dëmtojë më së shumti fëmijët.

Këtë vendim po e cilëson shqetësues Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, thotë për KosovaPress se ata përkrahin kërkesën për rritjen e pagave të mësimdhënësve, por nuk e pranojnë grevën si mjet për ta arritur këtë kërkesë.

“Me ndërprerjen e procesit mësimor, nxënësit po e humbin ose po i zbehet dëshira dhe vullneti për të mësuar, sepse koha sa më tepër që ata po qëndrojnë larg procesit mësimor, është një kohë shumë e keqe, një fazë shumë e vështirë që pastaj mësimdhënësit dhe prindërit duhet të punojnë shumë për të nxitur te ata vullnetin dhe dëshirën për t’u kyçur në procesin mësimor. Gjithashtu, zëvendësimi i ditëve ose orëve të humbura të mësimit, po shkakton ngarkesa të papërballueshme për aftësitë psiqike të nxënësve”, thotë Reshiti.

Edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, njëherësh drejtor në Qendrën për Arsim të Kosovës, revoltën e mësimdhënësve e quan të arsyeshme, por grevën nuk po e cilëson si mjetin e duhur. Sipas tij, problemi është se qeveria po merr kahje klienteliste.

“Problemi që paraqitet në këtë rast është se shpeshherë qeveria merr një lloj qasjeje klienteliste dhe kushdo që avokon më shumë ose në një mënyrë të caktuar për rritje të pagave në këtë rast i rriten koeficientet, ndërsa, ata të cilët kanë një pozicion jo aq të fortë, për ta aplikohen disa koeficientë të tjerë. Prandaj, konsideroj se në këtë rast bëhet një padrejtësi ndaj mësimdhënësve, sidomos ndaj këtyre kategorive të arsimit parauniversitar që shpërblehen disa nën nivelin e interierëve, madje disa edhe me shkollë të mesme, disa edhe nën atë nivel, dhe se këto janë disa anomali që duhet të rregullohen”, thotë Pupovci.

Lidhur me çështjen e pagave, Pupovci propozon që mësimdhënësit të paguhen në bazë të kualifikimeve dhe në bazë të punës që kryejnë.

“Nëse një mësimdhënës ose drejtor shkolle është i krahasueshëm me një këshilltar të ri të ministrit ose kryeministrit, atëherë edhe paga duhet të jetë aty diku, domethënë duhet të shihet kompleksiteti i punëve të kryera dhe kualifikimi”, deklaron Pupovci.

Edhe ministri i arsimit, Shyqyiri Bytyqi grevën e konsideron si mjet të dëmshëm për fëmijët, e sipas tij, SBAShK-u duhet të bindet për këtë.

“Nuk konsideroj se ne duhet të kërkojmë zgjidhje duke e dëmtuar pjesën më të rëndësishme të këtij sistemi, dhe nëse ne po bëjmë përpjekje për të bërë diçka mirë, pyetja është për çka? Përpjekjen po e bëjmë që të kemi një sistem arsimor më të mirë për fëmijët tanë dhe pikërisht duke kërkuar një gjë të tillë, ne po i dëmtojmë ata”, thotë Bytyqi.

Sipas Bytyqit, problemi nuk do të zgjidhet me anë të grevës. Ai ka ftuar SBAShK-un që të hënën të takohen me Komisionin Parlamentar për të biseduar për një zgjidhje institucionale e për këtë ka pohuar se ka përkrahje edhe nga zyra e kryeministrisë.

“Unë mendoj që duhet të gjendet zgjidhja racionale, ajo zgjidhje që është e mundur, shto kësaj që në projektligjin e pagave është futur edhe neni i cili është propozuar nga ana jonë që të kemi edhe rritje të të ardhurave varësisht nga rritja në karrierë e mësimdhënësve dhe konsideroj që janë hapat pozitiv që ka ky ligj aktualisht”, thotë Bytyqi.

Ndërkaq, SBAShK-u pritet që të hënën, më datë 14 janar të fillojë grevë e përgjithshme, duke përfshirë të gjitha nivelet arsimore në Kosovë.

Sipas vendimit të SBAShK-ut, greva do të mbahet çdo ditë me fillim nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

Gjatë kësaj kohe, ata kanë bërë thirrje që të ndërpritet çdo aktivitet mësimor deri në realizim të kërkesave të tyre.


Loading...