Australia i miraton ligjet që ia lejojnë policisë qasjen në mesazhet e koduara

  • December 07, 2018 10:31
  • Lajme

Qeveria australiane ka deklaruar se këto ligje, të cilat janë të parat në botë për këtë çështje, janë një hap i nevojshëm për ta ndihmuar luftën kundër terrorizmit dhe krimit. Sidoqoftë, kritikët e kanë paraqitur një listë të gjatë të shqetësimeve, përfshirë faktin që këto ligje do ta cenojnë sigurinë dhe privatësinë e përgjithshme të përdoruesve të mjeteve teknologjike të komunikimit.

Partia opozitare e laburistëve ka thënë se i ka mbështetur me ngurrim këto ligje, në mënyrë që australianët të jenë më të mbrojtur gjatë periudhës së Krishtlindjeve, por theksoi se janë të shqetësuar me përmbajtjen e tyre. Në anën tjetër, ekspertët e sigurisë kibernetike kanë deklaruar se këto ligje mund ta krijojnë situatën më të dobët botërore për kompanitë gjigante, siç janë Facebook dhe Apple.

Australia ka pasur edhe më parë ligje që ia mundësojnë policisë qasjen në mesazhe kur ata dyshojnë për komunikime me qëllime kriminale. Sidoqoftë, viteve të fundit disa kompani e kanë filluar zbatimin e kodimit të mesazheve, i cili ua mundëson leximin e tyre vetëm dërguesit dhe marrësit. Rrjedhimisht, autoritetet kanë thënë se terroristët dhe kriminelët janë duke e shfrytëzuar këtë teknologji për ta shmangur mbikëqyrjen e autoriteteve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Loading...