E kemi pothuaj të pamundur të gjykojmë drejt prurjet në letërsinë shqipe

  • December 05, 2018 10:31
  • Kulturë

Në krye të herës, dëshëroj të sqaroj lexuesin e veprës sime dhe lexuesin në përgjithësi, se ka kohë që jam tërhequr nga pjesëmarrja nëpër konkurrime letrare në Shqipëri. I kam shprehur më se një herë në shkrimet apo intervistat e mia edhe arsyet e këtij vendimi. Për rastin në fjalë, gjatë nominimeve – çmimi “Kult” për letërsinë 2018, – u tërhoqa nga finalizimi i konkurrimit, përpos të tjerave, në mospranim të rregullave të tij shumë të çuditshme për mua, që e kthenin shkrimtarin në një mbushës salle, por edhe në pjesëmarrës spektakli bukurie “mis-esh” dhe “mister-ësh”, të cilët zbulojnë në skenë me lot në sy, me klithma habie e në çast të fundit, kurorën e fitores; ashtu siç u tërhoqa nga finalizimi i nominimit tim, një vit më parë, – çmimi Kult për përkthimin. – Ndihem e shtrënguar t’i jap këto shpjegime për t’u shfaqur e çliruar krejtësisht nga turlilloj kompleksesh që mund të sjellë, fjala vjen, ndjeshmëria nga “lëndimi” i moskurorëzimit me çmimin në fjalë, dhe për ta dhënë besueshëm mendimin tim.

Kam konsideratë për akademinë “Kult”, e cila  me vite përpiqet, jo vetëm të vendosë gurë në ngrehinën e sistemit të ri, të brishtë dhe lojcak të vlerave në art e kulturë te ne, por edhe të ndihë sadopak materialisht krijuesit e varfër shqiptarë; dhe ka arritje. Kam konsideratë edhe për ato personalitete që kanë marrë dhe marrin pjesë në gjykimin përzgjedhës të këtyre vlerave, me një seriozitet dhe përkushtim profesional, por që mjerisht kanë qenë dhe janë në numër të vogël dhe të mbytur shpesh e më shpesh, përvit e më shumë, nga të tjerë gjykues sipëranë, pothuaj përherë të njëjtët, njerëz mediokër, kompleksivë e plot mllef, krejtësisht të paaftë për të gjykuar, por shumë të aftë si manipulatorë, joseriozë dhe deri qesharakë, të vetëshpallur kritikë letrarë që nuk njohin as edhe abecenë e teorisë së letërsisë, ndonëse mund ta recitojnë atë përmendësh duke u krekosur auditoreve, pale gazetarinë letrare, dashakeqës ndaj vetë kulturës kombëtare dhe gjuhës shqipe, besnikë të klaneve dhe tarafllëqeve, robër të politikës, ideologjive dhe “hierarkive” halucinante në letërsi, që ekzistojnë veç në trurin e tyre të sëmurë dhe në sjelljen servile dhe puthadore ndaj “hierarkëve” të tyre imagjinarë letrarë (në shumës).
E pra, një parcelë me egjër, e prish tërë arën me grurë, sado i shëndoshë të jetë ky i fundit, — buka e përftuar nga përzierja e egjrës me grurin është e pangrënshme dhe, ka raste, e rrezikshme.
Qëndroj te konkurrimi i fundit për çmimin “kult” për letërsinë. Assesi nuk i futem gjykimit të veprës fituese të kolegut Kyçyku. E njoh mirë librin që në ditët e para të botimit. Mund të them vetëm se, sipas gjykimit tim dashamirës, novela “Ati”, nuk mund të jetë vepra përfaqësuese e këtij autori të nderuar me disa çmime letrare në Shqipëri, dhe një zë jo i parëndësishëm në letrat shqipe.
Mbështes pa rezerva thelbin e problematikës shqetësuese që ngre Shpëtim Doda në shkrimin e tij (ndonëse me shumë nerv), dhe e përshëndes atë, sidomos në lidhje me kritikën e thekshme ndaj modelit përfaqësues të prurjeve të një viti në letërsinë tonë që rreket t’ia diktojë lexuesit çmimi “Kult”, me një mbështjellje nga më vezullimtaret. Por edhe precedentin e rrezikshëm që krijon ky model i tjetërsuar. Mbi të gjitha, mbështes kritikën ndaj sistemit krahasimor që përdor akademia kulturore “Kult” për të krijuar modele të tilla, shpesh të rreme, pse gjykuar nga gjykues të paaftë, që ia servir publikut, duke e dëmtuar kulturën kombëtare. E kam fjalën për shortlist-ën me vepra konkrete, të shkrimtarëve të njohur konkretë, kinse për transparencë, të cilëve u vë përballë, konkretisht, të “përzgjedhurin” e çmimit, shpallur absolutisht (pasi njëzëshëm nga disa shkallë gjykuese) si më i miri dhe më i vlerësuari, duke i thënë kësisoj lexuesit të mos lexojë apo të anashkalojë veprat konkurruese, sepse ja tek e ka të shpallur modelin, kryeveprën. Dashje-pa dashje, shtrembëron ligsht sistemin korrekt të vlerave në letrat shqipe (atë që duhet të jetë vërtetshëm), për ndërtimin e të cilit thotë (dhe unë prirem ta besoj) se përpiqet prej kaq shumë vitesh.
Praktika e gjatë e këtyre çmimeve, por edhe e të tjera çmimeve, ka treguar se, me këtë sistem që përdoret, me këta gjykues, në këtë klimë të krijuar, në këtë univers të mbushur me mbidoza subjektivizmi dhe frymë tarafesh, mund të shpallen turlilloj vlerësimesh, nëpërmjet një larushie çmimesh, pjellë e subjektivizmit të pastër të shijeve, estetikës, etikës, pikëpamjeve etj., të një njeriu apo një grupi njerëzish. Madje mund të ekzistojë edhe një çmim “shatrapatra” për një vepër “shatrapatra”, mund të goditet edhe në shenjë, nga një rastësi fatlume, për të gjetur veprën përfaqësuese letrare, në një periudhë të caktuar të zhvillimit të letërsisë së gjuhës shqipe.
Por për fat të keq, duhet ta pranojmë se vështirë e kemi, pothuaj të pamundur që, tani për tani, të gjykojmë drejt prurjet në letërsinë shqipe, duke përdorur sistemin e krahasimit. Duhet të ndërtojmë, së pari, një tjetër sistem gjykimi, të gjerë, të drejtë dhe të kualifikuar, mbështetur nga revistat e mirëfillta letrare, kritikët profesionistë letrarë, nga faqet letrare të të përditshmeve, nga emisionet kulturore në mediat vizive, nga katedrat e letërsisë dhe, pse jo, nga Akademia, apo akademitë. Duhet krijuar një kulturë e vërtetë e mendimit kritik letrar. Le të kemi shpresë se do të mund ta bëjmë në një të ardhme të shpejtë. Por kujdes gjer atëherë, të mos krijojmë modele të mbrapshta në këtë drejtim, të cilat do të na kushtojnë shumë mund dhe kohë për t’i ndrequr.

/mapo.al

Loading...