Shtëpia e Bardhë do të publikojë buxhetin për vitin 2020

  • March 11, 2019 08:00
  • Ekonomi

Shtëpia e Bardhë pritet të publikojë të hënën, buxhetin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për vitin 2020.

Zyra për buxhet e Shtëpisë së Bardhë ka njoftuar më 10 mars se Trump do të propozojë që Kongresi amerikan të zvogëlojë shpenzimet që nuk janë për mbrojtje për 5 për qind, ashtu që të shtohen financat për ushtrinë, kujdesin shëndetësor të veteranëve dhe për siguri kufitare.

Në buxhetin e propozuar përfshihet edhe financimi prej 8.6 miliardë dollarëve për ndërtimin e murit me Meksikën si dhe për Forcën Hapësinore, një degë e re ushtarake.

Liderët demokratikë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ata në Senat, të cilët kundërshtojnë ashpër murin me Meksikën, kanë refuzuar menjëherë kërkesën e Trumpit për këtë formë të ndarjes së buxhetit, derisa edhe Forcën Hapësinore e kanë cilësuar të panevojshme dhe shumë të kushtueshme.

Në Shtetet e Bashkuara, propozimi i buxhetit nga administrata konsiderohet pasqyrë për prioritetet e ekzekutivit.

Vendimet përfundimtare të buxhetit do të bëhen në Kongres, i cili ka shumë mundësi që të refuzojë planin fillestar të administratës së Trumpit.

Kongresi dhe administrata duhet të pajtohen për buxhetin që mbulon shpenzimet deri më 1 tetor, kur edhe përfundon viti fiskal, në mënyrë që Qeveria të mbetet e hapur. /Telegrafi/

Loading...