‘Rrjedha Turke’ do të vihet në përdorim në vitin 2019

  • November 08, 2018 14:00
  • Ekonomi

Projekti i tubacionit i cili do të bartë gazin natyror rus përmes Turqisë në Evropë, i quajtur si Rrjedha Turke, do të përfundojë në fund të vitit 2019, ashtu siç është planifikuar.

Zëdhënësi i projektit Asli Esen, gjatë një vizite të objekteve të Rrjedhës Turke në qytetin rus Anapa, tha se seksioni në det të hapur, në tetor të vitit të ardhshëm do të jetë i përfunduar në rreth 95 për qind të punimeve.

Qendra kompresuese Russkaya, që ishte qëllimi i vizitës, është një pjesë shumë e rëndësishme e projektit të këtij rrjeti gjigant, pasi përbëhet nga 172 mijë kilometra tubacion dhe 254 stacione kompresorësh.

Siç sqaroi zyrtari i qendrës, Anatoly Koltakov, qëllimi kryesor i tij është të bëjë kompresimin, i cili si i tillë do të mundësojë gazin natyror të qarkullojë distancën 930 kilometërshe përgjatë Detit të Zi, duke dërguar në Turqi 31.5 miliardë metra kub të gazit natyror.

Gazit natyror do t’i nevojiten 52 orë për të mbërritur nga Anapa në Turqi ndërsa dhoma e kontrollit për qarkullimin e gazit do të jetë e vendosur në selinë e kompanisë projektuese të Rrjedhës Turke në Amsterdam të Holandës.

Sipas informatave të ofruara nga autoritetet e Rrjedhës Turke, projekti është paraparë të operojë për të paktën 50 vjet.

Projekti përbëhet nga dy linja, prej të cilave e para do t’i shërbejë Turqisë me një kapacitet prej 15.75 miliardë metra kub ndërsa linja e dytë është planifikuar të jetë në shërbim të Evropës. /AA /Telegrafi/

Loading...