Këshilltari i Ministrit të Financave: Në buxhetin e vitit 2019 është paraparë edhe rritja e pensioneve (Video)

  • December 06, 2018 21:00
  • Ekonomi

Këshilltari i Ministrit të Financave, Lulzim Rafuna ka thënë se Kosova do të ketë ngritjen më të madhe të investimeve në rajon gjatë vitit 2019.

Rafuna në “Dossier D” me Fidan Ramën në RTV Dukagjini ka thënë se me buxhetin e vitit 2019 do të ngritën pensionet.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike Zeqirja Shabani, panelistë në këtë emision, thotë se buxheti i propozuar për vitin 2019, orienton investimet kryesisht në komunat e udhëhequra nga AAK.

Shabani ka thënë se rajone si Ferizaji janë anashkaluar nga investimet, edhe pse është kontribuuesi më i madh i buxhetit të Kosovës.

Ai ka thënë se logjika e ndarjes së buxhetit në baza elektorale duhet të ndryshoj.

“Në të kaluarën investimet janë orientuar në Drenicë për shkak se qeverisjen e kanë pasur politikanët nga ai rajon”, tha Zeka.

Rafuna i është përgjigjur Zekës, duke thënë se jo gjithmonë kriter për shpërndarjen e investimeve janë numri i banorëve apo kontributi në buxhet.

Këshilltari i Ministrit të Financave ka thënë se në buxhet janë planifikuar edhe shtesat për punonjësit e arsimit që kanë kontribuar gjatë viteve të ’90.

Rafuna ka thënë se buxheti është i bazuar në fonde reale e jo në atë se do të pritet ndonjë marrëveshje e re.

“Edhe këtë vit nuk ka pasur ndonjë problem me pagesat dhe gjendje e tillë do të jetë edhe në vitin 2019”, tha ai,  përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar më tej se Ministria e Financave është e lumtur që ka arritur të bëjë ngritjen e pensioneve pasi kjo kategori prej disa vitesh nuk ka përfituar ngritje.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Zeqirja Shabani ka thënë se me ligjin e pagave do të dëmtohen kategoritë e tjera sociale, ndërsa zyrtarët shtetërorë do të ruajnë një stabilitet në paga të larta.

Rafuna, nga ana tjetër ka thënë se ligji i pagave është i nevojshëm pasi ligj të tillë kanë edhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Ligji i pagave është i nevojshëm sepse për momentin ka raste kur disa drejtorë që i raportojnë Ministrit të Financave, kanë pagë më të madhe se vet Ministri”, tha ndër të tjera këshilltari i Ministrit të Financave, Lulzim Rafuna./Telegrafi/

Loading...