Ka përafrim të marrëveshjes për tregti të lirë SHBA-Kinë

  • March 10, 2019 13:00
  • Ekonomi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina po punojnë për të arritur një marrëveshje tregtare mes tyre, që të jetë në interesin e të dyja palëve, kështu ka deklaruar një zyrtar i lartë i Qeverisë kineze.

Zëvendësministri i Tregtisë, Wang Shouwen, tha se është optimist në lidhje me këto bisedime, por se çdo lloj mekanizmi tregtar i arritur duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.

Qeveritë e dy ekonomive më të mëdha të botës janë mbyllur prej muajsh në bisedime intensive, për t’i dhënë fund një beteje mjaft të ashpër tregtare që ka pasur ndikim në thuajse çdo cep të botës, përcjell Telegrafi.

Washingtoni kërkon medoemos që Pekini zyrtar të adresojë çështjet e vjetra, si ato të praktikave tregtare dhe sidomos ato të teknologjisë që Kina aplikon prej dekadash, si dhe çështjen mjaft delikate të të drejtave të pronës intelektuale, pra piratimin dhe produktet e falsifikuara.

Përparimi në këto bisedime bëri që Shtëpia e Bardhë të shtyjë në kohë hyrjen në fuqi të tarifave mbi 200 miliardë dollarë importe nga Kina. Këto tarifa duhet të hynin në fuqi më 2 mars.

Ditë më parë, lidhur me arritjen e një marrëveshje tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës e kishte konfirmuar edhe Jin Xu një ish-zyrtar në Ministrinë kineze të Tregtisë.

“Brenda nëntë muajve të fundit kemi pasur tri raunde konsultimesh, mendoj se kemi gjithnjë e më shumë konsensus për një marrëveshje. Të dy vendet bien dakord të kenë gjithnjë e më shumë mirëkuptim reciprok dhe gjithashtu duan të ndërtojnë marrëdhënie shumë më të mira për biznesmenët e të dyja vendeve. Nëse kemi gjithnjë e më shumë konsensus bota do të ketë përfitime”, kishte thënë Xu. /Telegrafi/

Loading...