Hamza i reagon OAK-ut: Asnjë subjekt prodhues nuk është bllokuar nga Ministria e Financave

  • January 11, 2019 19:30
  • Ekonomi

Oda e Afarizmit të Kosovës më herët kishte shprehur shqetësimin lidhur me vonesat e lejimit të lëndës së parë, që sipas tyre ka bërë Ministri i Financave Bedri Hamza.

Ministria e Financave përmes një komunikate sqaron se asnjë subjekt prodhues nuk është bllokuar nga Ministri i Financave Bedri Hamza.

“Të gjitha subjektet prodhuese edhe pse kanë qenë të ftuara që të aplikojnë gjatë muajit dhjetor 2018, para se të skadojnë afatet ligjore për Autorizime me datën 31.12.2018, të gjitha kanë aplikuar këtë javë, pas festave të fundvitit pra në fillim të këtij viti. Tani më jemi duke punuar me kapacitete të shtuara për të lëshuar Autorizime, të cilat janë duke u shqyrtuar me kohën më të shpejtë të mundshme, sipas renditjes që kanë aplikuar”, thuhet në njoftim.

Sipas MF-së, deklarimet e OAK-së se Ministri Hamza i ka bllokuar prodhuesit nuk janë të drejta dhe të sinqerta, kur dihet se që nga dita e parë e marrjes së mandatit  të ministrit të Financave objektivë strategjike e tij është që ta ndihmojë dhe ta përkrahë prodhimin vendor.

“Ministri Hamza ka bërë reformën më të madhe ndonjëherë në Kosovë duke filluar nga lirimi nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmëproduktet, linjat e prodhimit, pajisjet e IT- së, pjesët rezervë për procese të prodhimit, më pas lirimin nga tatimi i akcizës gjithë lëndën ndihmëse e cila merr pjesë në procesin e prodhimit, themelimi i Bordit të Ankesave dhe shumë lirime tjera tani nga TVSH-ja”.

“Prandaj deklarimet e tilla të OAK-së nuk janë të sinqerta dhe të drejta, kur sot të gjithë prodhuesit tani më i kanë prekur rezultatet e politikave fiskale që janë bërë deri më sot dhe pavarësisht këtyre deklarimeve, ne si Ministri e Financave do të vazhdojmë ta përkrahim dhe mbështesim prodhimin vendor me reforma në të mirë të prodhueseve në vendin tonë”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi

Loading...