Tesla rrit çmimet e veturave

  • March 11, 2019 13:00
  • Auto

Tesla kishte deklaruar më herët gjatë këtij muaji se do ta bëjë mbylljen e një numri të pacaktuar të dyqaneve për ta mbuluar uljen e çmimit të veturës “Model 3” në 35 mijë dollarë. Tash kompania do t’i mbyllë vetëm gjysmën e dyqaneve që ishin planifikuar më herët.

Ky prodhues, i themeluar nga Elon Musk, ka thënë se mbajtja e dyqaneve hapur shtron nevojën për rritje të çmimit të veturave për mesatarisht 3 për qind në tërë botën.

Kjo kompani i ka 378 dyqane dhe qendra të shërbimit në botë, por nuk ka dhënë informata se cilat prej tyre do të mbyllen.

“Gjatë dy javëve të fundit e kemi analizuar secilin dyqan të Teslas dhe tashmë kemi vendosur që ta mbyllim një numër më të vogël të dyqaneve sesa ishte planifikuar më parë”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Tesla është duke punuar që të realizojë shitje “online”, duke thënë se blerësit do të informohen në dyqanet e kompanisë se si ta porosisin blerjen e një veture përmes telefonit. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, procesi i blerjes së veturës përmes internetit do të zgjasë vetëm disa minuta, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Loading...